mar262024
Fondacioni AIRC: Meshkujt, më të prekur nga tumoret
Sipas vlerësimeve, në Itali, pothuajse një në dy meshkuj preket nga tumori gjatë jetës (më shumë se gratë). Në fakt, incidenca e kancerit te meshkujt është më e larta, afro 19%. Ndër arsyet e kësaj, përveç faktorëve biologjikë dhe atyre të gjinisë, është edhe kujdesi i pakët që meshkujt i kushtojnë shëndetit të tyre dhe pjesëmarrja e ulët në depistime. Për këtë arsye, fondacioni AIRC thekson rëndësinë e sjelljeve të shëndetshme për reduktimin e rrezikut për t'u prekur nga një tumor dhe i fton meshkujt t'u nënshtrohen kontrolleve dhe programeve të depistimit, të cilat janë falas nga ILSH.
Në vitin 2023, u konstatuan afro 208.000 diagnostikime të reja tumori te meshkujt, 3.000 më shumë në krahasim me vitin paraardhës. Tumoret e diagnostikuara më shpesh janë: kanceri i prostatës (afro 41.100 raste të reja, pothuajse 20% e të gjitha diagnozave), kanceri i mushkërive (afro 30.000), ai kolonorektal (afro 26.800), i fshikëzës së urinës (afro 23.700), i stomakut (afro 9.000), i mëlçisë (afro 8.130), limfoma jo-Hodgkin (afro 8.100), kanceri i veshkave (afro 7.900), i traktit të sipërm aerodigjestiv (afro 7.050) dhe i lëkurës me melanomë (afro 7.000). Përsa i përket parandalimit, ka disa udhëzime të vlefshme për të gjitha moshat, ndërsa disa të tjera lidhen me faza të caktuara të jetës.
0-49 vjeç: incidenca e tumoreve është e ulët dhe në këtë fazë duhet të krijohen zakone të shëndetshme: nuk duhet të tymosni, apo të ndaloni së tymosuri, duhet të ruani peshën trupore duke kryer vazhdimisht ushtrime fizike, duhet të ndiqni një dietë të pasur me drithëra integrale, fruta, perime dhe bishtaja dhe të kufizoni, ose akoma më mirë të shmangni, konsumin e alkoolit. Për adoleshentët rekomandohet vaksinimi kundër papilloma virusit (HPV).
50-69 vjeç: incidenca e tumoreve rritet ndjeshëm: mbetet thelbësore të keni sjellje dhe zakone të shëndetshme dhe t'u kushtoni rëndësi sëmundjeve të reja, të tilla si diabeti. Rekomandohet pjesëmarrja në programe depistimi për diagnostikimin e hershëm të tumoreve kolonorektale. Përsa i përket kancerit të prostatës për moshat 55 vjeç e lart, mund të rekomandohen kontrolle shëndetësore të traktit gjenitourinar dhe konsultime me mjekun në lidhje me avantazhet dhe disavantazhet e dozimit të PSA.
70 vjeç e lart: vërehet pjesa më e madhe e diagnostikimeve me tumor, sidomos me atë të prostatës, mushkërive dhe atë kolonorektal. Duhet t'u jepet rëndësi simptomave që mund të sinjalizojnë praninë e një tumori dhe çdo njeri duhet të sillet shëndetshëm, sipas mundësive që ka secili. Reduktimi sa më i madh i faktorëve të ndryshueshëm të rrezikut, mund të reduktojë probabilitetin për t'u prekur nga këto tumore.