pri232024
Inteligjenca artificiale në gjurmimin e gabimeve radiologjike
Në revistën Radiology u publikua një studim, në të cilin është vlerësuar efikasiteti i programit GPT-4 në kapjen e gabimeve gjatë rekomandimeve radiologjike, duke krahasuar rezultatet me ato të radiologëve me vite përvojë. Studimi zbuloi se si GPT-4 mund të barazojë performancën e radiologëve në identifikimin e gabimeve, me ndikimet domethënëse në kohën e përpunimit dhe në kosto.
GPT-4 ka treguar një shkallë zbulimi gabimesh prej 82.7%, krahasuar me mesataren e radiologëve të përfshirë në studim, e cila varionte nga 80% në 89.3%, sipas përvojës së secilit. Ky rezultat, nuk nxjerr në pah vetëm kompetencën e GPT-4, por evidenton edhe aftësinë e tij për të punuar më shpejt dhe me më pak kosto, krahasuar me njerëzit. Koha mesatare e këtij modeli për leximin e një rekomandimi është 3.5 sekonda, krahasuar me 25.1 sekonda, që iu deshën radiologut më të shpejtë dhe kostoja mesatare për rekomandim ishte përkatësisht 0.03 dollarë për GPT-4 dhe 0.42 dollarë për radiologun.
Të dhënat kryesore nga analizimi i 200 rekomandimeve radiologjike gjatë periudhës qershor-dhjetor 2023, në Universitetin e Kolonjës, Gjermani, demonstruan se GPT-4 dhe radiologët identifikuan 150 gabime të futura qëllimisht në rekomandime me një saktësi të jashtëzakonshme. Kjo performancë ishte e qëndrueshme në kategori të ndryshme gabimesh, të tilla si: lëshimet, futjet dhe gabimet drejtshkrimore.
Metoda e përdorur në studim përfshiu krahasimin e GPT-4 me gjashtë radiologë (dy me përvojë, dy që po ndiqnin stazhin dhe dy që e kishin përfunduar atë), duke vlerësuar aftësinë e tyre për të zbuluar gabimet në një grup rekomandimesh të randomizuara, disa prej të cilave ishin ndryshuar për të përfshirë gabime tipike. Gabimet më të shpeshta ishin ngatërrimi i anës së majtë me atë të djathtë dhe anasjelltas, si dhe regjistrimi i gabuar i përshkruesve, i kryer nga softueri i njohjes së zërit.
Pavarësisht efikasitetit të treguar, studimi ka edhe disa kufizime, të tilla si mjedisi eksperimental artificial, i cili mund të mos i reflektojë kushtet e vërteta të punës, si edhe nevoja për studime të mëtejshme për zbatimin efikas të GPT-4 në kontekst klinik, pa ndikuar në sigurinë e të dhënave.
"GPT-4 ka treguar një shkallë zbulimi gabimesh në rekomandime radiologjike, të krahasueshme me atë të radiologëve, duke ofruar mundësi në reduktimin e orëve të punës dhe në uljen e kostove", përfundojnë autorët e studimit.