Ndryshe nga disa ditë më parë, kreu i Urdhrit të Infermierëve, Sabri Skënderi, ka zbutur qëndrimin mbi vendimin e Gjykatës Administrative, e cila la në fuqi urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë për të testuar njohurit e infermierëve. Ndonëse pohon se UISH do ta apelojë këtë vendim në Gjykatën e Lartë, z.Skënderi shton se urdhri është i gatshëm të bashkëpunojë me ministrinë për riformulimin e pyetjeve dhe hartimin e provimit. "Duam të bindim Ministrinë e Shëndetësisë të heqë dorë nga zhvillimi i testimit. Shpresojmë që kjo të arrihet qoftë në negociata me Ministrin e Shëndetësisë, qoftë në rrugë gjyqësore. Pavarësisht vendimit të Gjykatës Administrative, që i hap rrugë zhvillimit të testimit, ne do të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë. Por, nga ana tjetër nëse përfundimisht do të vendoset që testimi do të zhvillohet, atëherë nuk kemi rrugë tjetër përveçse t'i ofrojmë ministrit të Shëndetësisë, të bashkëpunojmë për zhvillimin e provimit, qoftë nga hartimi i fondit të pyetjeve, që sipas zotit Beqaj do të përgatiten nga e para. Do jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën tonë për arritjen e një testimi të besueshëm dhe cilësor, që kurrsesi nuk duhet të cenojë marrëdhëniet e punës së infermierëve, siç edhe është premtuar nga Ministria e Shëndetësisë", shprehet për mediat z.Skënderi.
Më 24 prill Gjykata Administrative i dha të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë për zhvillimin e testimit të infermierëve, por këta të fundit e refuzojnë kategorikisht këtë nismë dhe prandaj i kanë kërkuar Urdhrit përfaqësues që të mbrojë të drejtat e tyre. Nëse edhe Gjykata e Lartë i jep të drejtë MSH-së, ata pohojnë se do ta bojkotojnë testimin. Vetë kreu i UISH pranon se njohuritë e infermierëve (rreth 8 mijë në të gjithë territorin e Shqipërisë) kanë mangësi dhe nevojë për përmirësim, por nëse testimi do të zhvillohet, nuk duhet të preket asesi vendi i punës së infermierëve.
Në të njëjtën pozitë me infermierët janë edhe mjekët, të cilët për disa të hëna rresht organizuan grevën 1 orëshe në të gjitha spitalet e vendit si edhe para kryeministrisë, edhe pse sërish mbetën pa një përgjigje.