kor312017
Kryeministri kërkon dorëheqjen e të gjithë drejtorëve të spitaleve rajonale
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi të zhvilluar pasditen e sotme me drejtuesit e spitaleve dhe institucioneve shëndetësore të vendit, ka shprehur hapur pakënaqësinë për menaxhimin e spitaleve dhe ka kritikuar drejtuesit e tyre për paaftësi. Në fjalën e tij, kryeministri ka bërë të qartë kërkesën për largimin nga detyra e drejtorëve të spitaleve rajonale dhe institucioneve të shëndetit publik. Ai i ka ftuar ata që që nesër të japin dorëheqjen. Nga kërkesa e kryeministrit janë përjashtuar drejtorët e spitaleve të Tiranës, që sipas tij kanë bërë një punë të mirë duke menaxhuar edhe fluksin e pacientëve nga rrethet.
"Shëndetësia kërkon menaxhim dhe të gjitha të dhënat e marra qoftë në mënyrë zyrtare, qoftë nga ankesat e publikut flasin për një nivel menaxhimi të papranueshëm. Besoj se një nga shkaqet është një dozë e madhe negativiteti me të cilin është ngarkuar figura e mjekut vjen nga keqmenaxhimi i spitaleve, është detyra e menaxhimit që t'i motivojë mjekët, të mos mjaftohet me deklarata shtypi keqardhjeje kur sulmohet një mjek që është fenomen barbarie", u shpreh kreut i qeverisë.
Sipas tij në sistemin shëndetësor janë të domosdoshme:
*Ristrukturim tërësor i organizimit në territor i institucioneve të shëndetit publik.
*Largim i të gjithë drejtuesve aktualë të spitaleve e të institucioneve të shëndetit publik, dhe afirmim i një profili të ri drejtuesi menaxher në shërbimin spitalor përmes konkurseve publike për çdo drejtori spitali dhe institucion të shëndetit publik.
*Fuqizim i mbështetjes financiare për specialistët që angazhohen jashtë Tiranës.
*Nisja e procesit për jetësimin e autonomisë spitalore.
*Struktura dhe mekanizma të reja shërbimi përmes partneritetit publik - privat.
Kryeministri u ndal në veçanti te higjiena: "Nuk besoj se spitalet para viteve '90 ishin shëmbëlltyrë e ultrafinancimit, por po ta krahasosh me nivelin e higjienës, pastërtisë dhe të gatishmërisë, nuk jemi 27 vjet para, por 270 vjet pas". Rama ishte i drejtpërdrejtë në nënvizimin e përgjegjësive të drejtuesve të spitaleve: "Ju mbani përgjegjësi për mosplotësimin e kërkesave të pacientëve, të cilët janë të detyruar që të vinë në Tiranë për të marrë shërbimin e e kërkuar. Ju nuk bëni një kërkese për ta sjellë mjekun e specializuar nga Tirana për tek pacienti dhe ata janë të detyruar që të vijnë në kryeqytet, duke shkaktuar fluks. Gatishmëria e 3 spitaleve në Tiranë është e plotë. Mjafton të sjell në vëmendje situatën e protezave në Gjirokastër. Në vend që të bashkëpunohej me drejtorinë e Spitalit të Traumës për të çuar mjekët atje, refuzoheshin protezat me argumentin se nuk kishe mjekë. Kjo është skandaloze. Të gjithë spitalet nëpër rrethe i sjellin pacientët në Tiranë dhe kjo sjell radhë të pajustifikueshme në Tiranë. Disa shërbime mund të trajtohen fare mirë në spitalet rajonale të vendit. E kujt është kjo përgjegjësi? Këtu kemi të bëjmë me një drejtim pa sy e pa zemër. Shumë prej mjekëve apo infermierëve nuk gjenden në vendin e duhur gjatë orarit zyrtar dhe qytetarët sorollaten".