tet42018
Zbulohen dy raste me kolerë në Napoli. Diskutohet nëse ka rrezik përhapjeje edhe më tej
"Nuk mund të përjashtohen raste të tjera, nëse ka patur kontakte të ngushta të gruas dhe fëmijës me njerëz të tjerë gjatë simptomave, por, në qoftë se me të vërtetë bëhet fjalë për kolerë, kjo nuk është një sëmundje që na alarmon, për shkak se transmetimi i saj është oro-fekal dhe duke qenë dy raste të importimit, nuk ka rrezik të përhapjes në një shkallë të gjerë". Kështu u shpreh Gianni Rezza (Departamenti i Sëmundjeve Infektive në Institutin e Lartë të Shëndetit (ISS) në Itali), për dy rastet e kolerës të regjistruara në spitalin "Cotugno" në Napoli.
Bëhet fjalë për një pacient të vogël 2-vjeçar, që është transferuar nga Spitali i Fëmijëve "Santobono" dhe nënën e tij, të cilët sapo janë kthyer nga një udhëtim në Bangladesh. Nënë e bir, që jetojnë në provincën e Kazertës, janë në gjendje të qëndrueshme dhe "situata është plotësisht nën kontroll", siguron Antonio Giordano. "I rëndësishëm është izolimi në spital i dy pacientëve dhe gjetja e njerëzve që mund të kenë patur kontakte të ngushta me ta", shton Rezza.
Do të ishte ndryshe nëse kjo do të ishte një sëmundje me transmetim ajror. Kontakti me feçet e kontaminuara të dy pacientëve, është pa dyshim më e vështirë. Dy rastet e kolerës që ndodhën në Napoli mund të menaxhohen në mënyrë efektive dhe nuk shkaktojnë shqetësim. "Identifikimi i hershëm i të dyja rasteve në Napoli nxjerr në pah rolin e rëndësishëm që luan rrjeti i sëmundjeve ngjitëse të përhapura në të gjithë territorin italian, që përmes qasjes sindromike arrijnë të menaxhojnë në mënyrë efektive edhe sëmundje të pazakonta, siç është kolera, që ka munguar prej vitesh në territorin kombëtar", thotë edhe Giuseppe Ippolito, drejtor shkencor Institutit të Sëmundjeve Infektive në Romë.
"Prania e kolerës në vendet e varfra, kujton Ippolito, lidhet drejtpërdrejt me një gjendje të përgjithshme varfërie dhe degradimi, me mungesën e ujit të pijshëm dhe me kushtet e papërshtatshme shëndetësore. Aktualisht, në gadishullin arab në Jemen ekziston epidemia më e madhe e kolerës në botë, e favorizuar nga mungesa e plotë e shëndetit publik dhe lufta civile në progres në vend, e injoruar nga mediat italiane. Më shumë se 1.100.000 raste dhe 2.300 vdekje janë raportuar gjatë 14 muajve të fundit. Dy rastet me kolerë, ai i një gruaje dhe djalit të saj dyvjeçar, që janë kthyer së fundi nga Bangladeshi dhe aktualisht janë hospitalizuar në Spitalin "Cotugno" në Napoli, janë të parat pas 10 vitesh, që nga rasti në Milano në vitin 2008".