jan242020
Coronavirusi. MSH-ja urdhëron mjekët të bëjnë përkufizimin e qartë të tipit të ri
Pas shpalljes së emergjencës shëndetësore në Kinë një ditë më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një urdhër për Institutin e Shëndetit Publik, ku i kërkon këtij të fundit, të merren masa parapërgatitore për t'u mbrojtur nga depërtimi i coronavirusit të ri.
Sipas urdhëresës, ndonëse Shqipëria konsiderohet një vend me rrezikshmëri të ulët përsa i përket përhapjes së coronavirusit, ISHP-ja duhet të përforcojë mbikëqyrjen e infeksioneve të rënda respiratore akute, në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit. Urdhri specifikon që Instituti i Shëndetit Publik të përgatisë përkufizimin e rastit, kur një pacient konsiderohet i prekur nga coronavirusi, në mënyrë që atë ta kenë të qartë të gjithë mjekët.
Kërkohet gjithashtu edhe një udhëzues për menaxhimin e rasteve në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit. Nga ana tjetër, një ekip i Inspektoriatit Shëndetësor Shtetëror qëndron në aeroportin e Rinasit për të kontrolluar rastet që sinjalizohen nga aeroporte të tjera. Sipas zyrës së komunikimit në aeroportin "Nënë Tereza", është gati madje edhe një ambient i posaçëm për të izoluar ndonjë rast të mundshëm apo të dyshuar.
Por, sipas ekspertëve, risku i depërtimit të virusit në Shqipëri është i vogël pasi ne nuk kemi linja ajrore direkte me Kinën dhe se udhëtarët që vijnë në vendin tonë, skanohen më parë në aeroportet nga vijnë. Shefi i OBSH-së në Tiranë tha se e rëndësishme është të jemi të aftë për të identifikuar rastet.
Alma Demiraj