News

mar62023

Kongresi i Parë i Shëndetësisë. Në prill, pagat e mjekëve specialistë rriten me 50 mijë lekë të reja, të tjerët me 7%

Është zhvilluar për herë të parë në Shqipëri Kongresi i Parë i Shëndetësisë ku kanë marrë pjesë 2000 profesionistë shqiptarë të fushës, ekspertë ndërkombëtarë, profesorë të njohur në shëndetësi, donatorë dhe politikëbërës. Frenimi i fenomenit të ikjes së mjekëve drejt tregut të BE-së ka qenë një ndër pikat më të diskutuara, pasi Shqipëria është një vend i vogël, me numër të vogël mjekësh dhe largimi i tyre ndikon në sistem.

"Në prill, në këtë prill, jo në prillin e vitit tjetër dhe jo më 1 prill, por më 30 prill, mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lekë të reja plus në pagën e tyre. E përsëris, janë të reja, domethënë, janë 500 dollarë në muaj plus, domethënë janë 6000 dollarë në vit nëse aritmetika ime është e saktë dhe domethënë, janë nga muaji prill. Do të mbajmë zotimin për rritjen me 7% të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët", u shpreh kryeministri i vendit duke garantuar rritjen e pagave.

Në kongres u diskutua se do të marrë fund financimi i studentëve të mjekësisë dhe lejimi i tyre për t'u larguar drejt BE-së sapo të përfundojnë studimet.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se të ardhurat për mjekët nuk ndalen këtu, pasi edhe autonomia spitalore e cila ka nisur të zbatohet, do të krijojë incentiva të reja për rritjen e të ardhurave për mjekët.

Në këtë kongres të konceptuar me disa sesione paralele, u diskutua për përmirësimin dhe rritjen e aksesit në sistemin spitalor, kujdesin parësor shëndetësor dhe në barna. Kongresi i parë i Shëndetësisë synon të bëjë bashkë ekspertët e shëndetit, përdoruesit e shërbimeve, të gjithë aktorët, për të shkëmbyer eksperiencat, por edhe për t'u bashkuar dhe angazhuar për sfida të reja,  për t'u përditësuar me risitë e shkencës së shëndetësisë. Kongresi Shëndetësia 2030, i ka hapur punimet këtë të hënë dhe do të zhvillohet për dy ditë.

 

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>