News

shk212024

Urdhri i Psikologut në Kolaps

Anëtarët e Asamblesë Kombëtare: Gati padia për në prokurori.

Edhe pse në një seancë jashtë radhe të Asamblesë Kombëtare të zhvilluar në datën 27 janar të këtij viti nuk mori votat e duhura dhe u kërkua shkarkimi i saj nga ky pozicion, Presidentja e Urdhrit të Psikologut, znj. Valbona Treska vijon të jetë në detyrë. Por, sipas anëtarëve të Këshillit Kombëtar ajo konsiderohet e shkarkuar dhe aktualisht Urdhri i Psikologut nuk ka një president në detyrë. Psikologja Adelina Pjetra, anëtare e Asamblesë Kombëtare, e kontaktuar nga Doktor33 tha se të gjithë ata që janë kundër Urdhrit të Psikologut dhe mënyrës së menaxhimit të tij, kanë bërë gati një padi, që pritet ta depozitojnë pranë Prokurorisë së Tiranës për të vepruar më tej. Anëtarët i kanë dërguar Këshillit Kombëtar të Urdhrit, pjesë e të cilit janë edhe përfaqësues nga 4 ministri, edhe një email, përmes të cilit kërkojnë që këshilli të caktojë sa më parë datën e zgjedhjeve, si detyrim ligjor i tij. 

"Aktet e Asamblesë u janë bërë të njohura organeve ekzekutive të Urdhrit të Psikologut në datën 1 shkurt 2024. Përderisa këto akte nuk janë kundërshtuar në rrugë gjyqësore dhe nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë për to, atëherë këto akte janë në fuqi. Në bazë të këtyre akteve dhe në mbështetje të Statutit të UP, Këshilli Kombëtar duhet të kishte vepruar brenda datës 11 shkurt 2024 dhe me anë të këtij mosveprimi ka shpërdoruar detyrën.

Në bazë të Rregullores së Zgjedhjeve të miratuar me anë të Vendimit Nr.2, datë 03.02.2021 të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Psikologut, në bazë të pikës 4 të nenit 4: 'Caktimi i datës së zgjedhjeve', ju detyroheni që 'në rast të mosushtrimit të kësaj kompetence nga Presidenti, me kërkesë të 1/3 së anëtarëve të tij, Këshilli Kombëtar mblidhet dhe e ushtron vetë këtë kompetencë. Në kushtet kur nuk kemi një President, Këshilli Kombëtar është i detyruar  të veprojë  për të caktuar dhe shpallur datën e zgjedhjeve për zgjedhjen e Presidentit të ri. Në këtë mënyrë UP i rikthehet normalitetit dhe ligjshmërisë'."

Ndërkohë ka mbërritur edhe një përgjigje nga përfaqësues të ministrive që janë në përbërje të Këshillit Kombëtar. Me gjithë kërkesat dhe informacionet e shumta që u janë drejtuar atyre për situatën në UP, ata kanë preferuar të heshtin.

"Nuk duam të pozicionohemi'', është qëndrimi jo zyrtar i ministrive.

Ndërkohë, një grup tjetër po zhvillon takime me anëtarë të Urdhrit të Psikologut nëpër qarqe të  ndryshme të vendit.

Alma Demiraj


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>