shk52016
Kujdesi ndaj glutenit te të porsalindurit nuk ka efekte parandaluese
Raporti midis celiakisë dhe moshës së futjes për herë të parë të glutenit në dietë është studiuar së fundmi nga një grup kërkuesish të European Society for Paediatric Gastroenterology, Hepatology and Nutrition (Espghan), që kanë dalë në përfundimin se praktika e futjes së glutenit në dietën e të porsalindurit në risk (si bartës i disa gjeneve specifikë) gjatë ushqyerjes me gji, nuk ka asnjë efekt parandalues. Sipas këtij konkluzioni, gluteni mund të futet në dietë në çfarëdo momenti midis fundit të muajit të katërt dhe deri në momentin që fëmija mbush 1 vjeç dhe që ushqyerja me gji, e rekomanduar për një numër të madh arsyesh nuk influencon në riskun e ardhshëm për celiaki.
Ndërkohë që rekomandimet e mëparshme bazoheshin në studime vëzhguese, rekomandimet e fundit lindin nga rezultatet e dy studimeve rastësore dhe të kontrolluara, që kanë matur incidencën dhe prevalencën e celiakisë: "Këto rezultate sugjerojnë se parandalimi primar i celiakisë me ndërhyrje në të ushqyer nuk është i mundur për momentin", shpjegon pediatrja Hania Szajewska e fakultetit të mjekësisë në Universitetin e Varshavës në Poloni, autore e parë e dokumentit. Edhe pse literatura e vlerësuar kishte të bënte me fëmijë me një risk më të lartë për celiaki si bartës të gjeneve mutante sesa popullsia në përgjithësi, autorët pretendojnë se konkluzionet kanë të njëjtën vlefshmëri edhe për pjesën tjetër të popullsisë.
Jpgn of Pediatric Gastroenterology and Nutrition Publish Ahead of Print DOI :10.1097/MPG.0000000000001105http://journals.lww.com/jpgn/pages/articleviewer.aspx?year=9000&issue=00000&article=97657&type=abstract
Përktheu: Erjola Taga