shk122018
Infeksioni i rrugëve urinare te foshnjat febrile. Analizat janë shumë specifike
Sipas një studimi të publikuar në "Pediatrics", te të sapolindurit febrilë, analiza e urinës është shumë e ndjeshme dhe specifike në diagnostikimin e infeksioneve të rrugëve urinare (UTI). Leah Tzimenatos (Universiteti i Kalifornisë) ka analizuar së bashku me kolegët, të dhënat e një studimi perspektiv të zhvilluar me mbi 4100 fëmijë me moshë 60 ditëshe apo më shumë, të cilët kishin temperaturë të paktën 38°C dhe që janë vizituar në periudhën 2008-2013 në një nga 26 departamentet e urgjencës pediatrike, pjesë e PECARN-it, një rrjet kërkimor në mjekësinë e emergjencës pediatrike.
"Fëmijët kanë bërë analizat e urinës dhe urinokulturën", vënë re autorët, duke shpjeguar se fakti që analiza e urinës dilte pozitive, përcaktohej nga prania e esterazës leukocitare, e nitriteve apo e piurias. Nga rezultatet e arritura del se 289 të sapolindur (7,0%) kishin një infeksion të rrugëve urinare dhe se analiza e urinës kishte një ndjeshmëri diagnostike në masën 91%-94%.
"Metodat laboratorike të përdorura për të analizuar urinën në 26 qendrat e ndryshme, mund edhe të kishin ndryshime mes tyre, por ndjeshmëria e lartë dhe e gjithanshme ishte e dukshme dhe rezultati i përgjithshëm i bashkonte të gjitha", shkruajnë kërkuesit, duke shtuar se analiza e urinës është në gjendje të ofrojë informacione të çmuara dhe të besueshme për mjekët që u duhet të ekzaminojnë të sapolindurit febrilë për infeksione bakteriale.
"Nga të dhënat e mbledhura del se lidhja mes esterazës leukocitare, nitriteve e piurias mikroskopike ka një efikasitet të shkëlqyer diagnostikues në këto analiza", përfundojnë autorët, duke saktësuar gjithsesi se analiza urinare ka një vlerë të mirë parashikuese edhe pa piurian mikroskopike. Në një editorial, Kenneth Robertsi (Universiteti i Karolinës së Veriut) thotë:
"Ndonëse një prag prej 50,000 CFU/mL mbetet standardi diagnostik i infeksionit të traktit urinar, këto rezultate sugjerojnë se edhe një rezultat prej 10,000 CFU/mL mund të jetë një prag që tregon prani të infeksionit të traktit urinar, në mostrën e urinës të marrë nëpërmjet kateterit".
Pediatrics 2018. doi: 10.1542/peds.2017-3068
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29339564
Pediatrics 2018. doi: 10.1542/peds.2017-3239
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29339563