sht72018
Cila është lidhja e vërtetë mes vaksinave të fëmijërisë dhe rrezikut nga infeksionet?
Vaksinimet e shumta në dy vitet e para të jetës, nuk e shtojnë rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të tjera infektive në moshën 2-4 vjeç, sipas një studimi të rastit, të publikuar në "JAMA".
"Ka patur shqetësime në lidhje me faktin se ekspozimi i hershëm ndaj vaksinave të shumta dhe antigjeneve të tyre mund të shkaktojë mosfunksionim imunitar duke rritur gjasat e infeksioneve që nuk mbulohen nga imunizimi", thotë bashkautori Jason Glanz, nga Kaiser Permanente, Kolorado. Për të testuar këtë mundësi, hulumtuesit vlerësuan të dhënat e 495.193 fëmijëve të ndjekur nga gjashtë organizata shëndetësore në Shtetet e Bashkuara.
Midis tyre, studiuesit përzgjodhën 193 fëmijë, të cilët në periudhën 24-47-muajshe, ishin diagnostikuar në një repart spitalor ose në sallën e emergjencës, me infeksione që nuk mbulohen nga vaksinat e marra më parë. Ata i kanë krahasuar sipas një skeme 1:4 në një numër të përgjithshëm prej 751 kontrollesh. "Të gjithë pjesëmarrësit në studim, të lindur në periudhën janar 2003-shtator 2013, u ndoqën deri në dhjetor 2015", shpjegojnë hulumtuesit. Duke vlerësuar numrin total të vaksinave (dhe antigjeneve të lidhura me to) ndaj të cilave ishte ekspozuar çdo fëmijë nga 0-23 muajsh, ata nuk gjetën ndonjë ndryshim midis rasteve dhe kontrolleve.
"Në veçanti, numri mesatar i antigjeneve ishte 240.6 për fëmijët me infeksion të konfirmuar dhe 242.9 për fëmijët pa infeksion", thotë Glanzi, duke vënë në dukje se studimi nuk zbulon te fëmijët e vegjël asnjë lidhje të dëmshme apo të dobishme mes vaksinimeve të shumta dhe shfaqjes së infeksioneve që nuk mbulohen nga vaksinat.
Në një koment, Yvonne Maldonado (Shkolla e Mjekësisë Stanford, Kaliforni), thotë: "Këto rezultate shuajnë dyshimet në lidhje me sigurinë e programit të vaksinimit, megjithatë nuk mund të jenë të mjaftueshme për të kapërcyer kundërshtimin gjithnjë e më të madh të popullatës së përgjithshme ndaj vaksinave. Për t'u garantuar një shëndet më të mirë fëmijëve, nuk mjafton ofrimi i të dhënave shkencore, duke shpresuar që ato t'i bindin prindërit që të vaksinojnë fëmijët e tyre. Kemi nevojë për fushata informuese bindëse, që i bindin prindërit dhe pediatrët për sigurinë dhe efektivitetin e programit të imunizimit në fëmijëri".
JAMA. 2018. doi: 10.1001/jama.2018.0708
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29509866