sht272024
Long-Covid te fëmijët mund të zgjasë deri në tre vjet. Ja, studimi
Te disa të rinj, long-Covid mund të zgjasë deri në tre vjet, duke sjellë pasoja në jetën shkollore dhe në aktivitetet e zakonshme. Këto evidenca të reja mbi pasojat e infektimit me Sars-CoV-2 te fëmijët dhe të rinjtë u raportuan në një studim ndërkombëtar mbi 1.300 pacientë në moshë pediatrike, i cili u publikua në eClinical Medicine.
"Vaksinat duket se krijojnë një efekt mbrojtës (por varet nga numri i dozave të administruara dhe nga mosha e pacientit) ndaj long-Covid, ndaj riinfektimeve dhe ndaj komplikimeve autoimune të kësaj sëmundjeje. Ai u krye mbi afro 1.300 pacientë në moshat 0-18-vjeçare.
Studimi u fokusua në rastet e long-Covid pediatrik, të shfaqura pas infektimit të parë ose pas riinfektimeve, si dhe në kohëzgjatjen e tyre. Objektivi ishte përshkrimi i karakteristikave të long-Covid te pacientët në moshë pediatrike, vlerësimi i pranisë së faktorëve që mund të parashikojnë rrezikun për zhvillim të long-Covid, si dhe vlerësimi i rolit të vaksinës në parandalimin e long-Covid, rrezikut për riinfektime, ose shfaqjes së sëmundjeve autoimune.
Në këtë studim është dokumentuar përparimi i infektimit me Sars-CoV-2 në moshë pediatrike deri në 36 muaj nga infektimi i parë", shpjegoi autori i studimit, Danilo Buonsenso.
Roli i vaksinave
"Në lidhje me long-Covid, ne kemi konfirmuar të dhënat e studimeve tona, duke shtuar informacione të reja. Në fakt, nga ky studim rezulton se edhe pse pjesa më e madhe e pacientëve shërohen nga Covid-19, disa prej tyre vazhdojnë të shfaqin simptoma të long-Covid, deri në 3 vjet nga infeksioni fillestar. Kjo konfirmon rëndësinë e pasojave të mundshme të këtij virusi te fëmijët. Shumë prej atyre që u ndoqën për 3 vjet pas infektimit fillestar, nuk mundën t'i riktheheshin rutinës së tyre të përditshme dhe kishin pasoja negative mbi frekuentimin e rregullt të shkollës ose në kryerjen e aktiviteteve të zakonshme jashtëshkollore, për shkak të simptomave të dobësisë trupore.
Pra, Covid-19 mund të ketë pasoja të rëndësishme dhe që zgjasin edhe te grupmoshat e vogla. Por, a është në gjendje vaksina të ofrojë mbrojtje që në fazën post akute të infeksionit, si dhe nga long-Covid dhe nga komplikacione të tjera? Në studimin tonë, vaksinimi ka rezultuar një faktor mbrojtës kundër long-Covid edhe pse, siç e kemi evidentuar, ky efekt mbrojtës ndryshon në varësi të dozave të marra dhe nga mosha e pacientit, si dhe shton informacionet mbi këtë infeksion", shpjegoi Buonsenso.
Një tjetër informacion i raportuar nga studimi është që rreziku i shfaqjes së një forme të rëndë të Covid-19, në rastin e një infeksioni që shfaqet në 24-36 muajt pasues të infektimit të parë, është jashtëzakonisht i ulët. Megjithatë, duhet të themi që, edhe pse ndodh rrallë, long-Covid mund të zhvillohet edhe pas një riinfektimi. Gjithashtu, fëmijët me long-Covid janë më të rrezikuar për të paraqitur infeksione simptomatike. Si përfundim, siç është evidentuar tashmë te të rriturit, në këtë studim tregohet edhe se infeksioni për shkak të virusit origjinal lidhej me një rrezik më të lartë për zhvillim të sëmundjeve autoimune në muajt që pasojnë infeksionin akut.