kor272020
Stina e verës dhe Covid-19. Fëmijët le të socializohen, por kujdes rregullat!
Në këtë stinë të nxehtë, shumë prindër pyesin se çfarë masash duhet të merren për t'u siguruar fëmijëve të tyre mundësinë për të luajtur të sigurt në ambiente ku shumë fëmijë do të jenë së bashku. Përgjigjja vjen nga pediatër të Shoqatës Italiane të Pediatrisë Parandaluese dhe Sociale (SIPPS), të cilët rekomandojnë distancim, higjienë dhe vendosjen e maskës: në pushime, në plazh dhe në qendrat verore, rregullat kundër infektimit duhet të respektohen dhe të mos lihen në harresë.
"Për të vegjlit është thelbësore që të socializohen, të ruajnë marrëdhënie miqësore me bashkëmoshatarët dhe të zbulojnë të reja. Por, edhe në vendet e pushimeve dhe në plazh duhet të respektoni gjithnjë rregullat kundër infektimit: distancim, higjenë dhe maskë. Në qendrat verore, nëse zhvillohen lojëra që nuk mund të garantojnë një distancë të përshtatshme midis fëmijëve, ata duhet të vendosin maska, të cilat përdoren për të mbrojtur veten e tyre, por mbi të gjitha, të tjerët", shpjegon Presidenti i SIPPS-it Giuseppe Di Mauro. Por, nuk është e mjaftueshme vetëm vënia e tyre. Maskat kirurgjikale edhe duhet të përdoren në mënyrën e duhur. Te një fëmijë i shëndetshëm, edhe nëse mbahen për disa orë, ato nuk krijojnë probleme, madje as për dioksidin e karbonit, që thithet në sasi minimale. Maska, që vihet me duar të lara ose të dezinfektuara, më pas duhet të hiqet nga veshët dhe të mos preket në qendër. Ajo duhet zëvendësuar, në rast se laget. Në këtë mënyrë, fëmijët, falë kontrolleve që do të kryhen, do të jenë në gjendje të luajnë të qetë. Di Mauro kujton gjithashtu rëndësinë e vaksinimit të gripit kur kthehen nga pushimet.
"I këshilloj të gjithë prindërit që të futen në fushatën e vaksinimit 2020-2021. Që nga mesi i shtatorit ose maksimumi në fund të tetorit, të gjithë fëmijët nga 6 muaj deri në 6 vjeç duhet të vaksinohen. Nga 7 deri në 16 vjeç e rekomandoj vaksinimin për ata që kanë patologji të veçanta. Duke vepruar kështu, arrijmë dy objektiva: nga njëra anë eliminojmë problemin e ngatërrimit të gripit sezonal me Covid-19 dhe nga ana tjetër, gjë që tani është demonstruar gjerësisht, reduktojmë agresionin viral te njerëzit e vaksinuar, në rast të infeksionit", përfundon Presidenti i SIPPS-it.