jan162025
Shëndeti i fëmijëve dhe rreziqet nga kimikatet
Lidhjet midis kimikateve dhe zhvillimit të sëmundjeve të fëmijët po vazhdojnë të zbulohen me një frekuencë shqetësuese dhe ka të ngjarë që të ekzistojnë edhe lidhje të tjera të panjohura. Një grup ekspertësh që po bëjnë thirrje për rregulla të reja për të mbrojtur fëmijët nga efektet e substancave kimike e kanë theksuar këtë në New England Journal of Medicine. Deri më sot, shpjegojnë studiuesit, në treg ka rreth 350 mijë substanca kimike, përzierje kimike dhe materiale plastike. Këto janë produkte që dalin në treg me një vlerësim të dobët të ndikimit në shëndet. "Më pak se 20% e këtyre produkteve janë testuar për toksicitet, dhe akoma më pak për efekte toksike te foshnjat dhe fëmijët", tregojnë studiuesit. Numri i substancave është rritur vazhdimisht që nga vitet 1950 dhe pritet të dyfishohet deri në vitin 2050. Në të njëjtën kohë, provat shkencore për efektet negative të disa substancave kimike në shëndetin e fëmijëve po rriten.
"Në pesëdhjetë vitet e fundit, shkalla e sëmundjeve jo të transmetueshme te fëmijët është rritur ndjeshëm", shkruajnë studiuesit. "Incidenca e kancerit të fëmijërisë është rritur me 35%. Defektet e riprodhuese të lindura te meshkujt janë dyfishuar. Çrregullimet neurozhvillimore po prekin 1 në 6 fëmijë dhe çrregullimi i spektrit të autizmit po diagnostikohet në 1 në 36 fëmijë", shtojnë ata. Për më tepër "astma pediatrike është trefishuar, obeziteti pediatrik është pothuajse katërfishuar dhe ka çuar në një rritje të konsiderueshme të diabetit të tipit 2 te fëmijët dhe adoleshentët". Shumë nga këto kushte është treguar se lidhen me ekspozimin ndaj faktorëve mjedisorë. Për studiuesit, ka ardhur koha për të ndryshuar qasjen e tyre. "Kimikatet, plastika dhe produktet me bazë kimike duhet të lejohen të hyjnë dhe të qëndrojnë në treg vetëm nëse vlerësimi rigoroz i pavarur shkencor tregon se ato nuk janë toksike për njerëzit e çdo moshe, veçanërisht fëmijët, në nivelet e pritshme të ekspozimit", përfundojnë ata.