jan242025
Obeziteti te fëmijët. Trajtimet efektive reduktojnë sëmundjet dhe vdekshmërinë në moshën madhore
Një studim i publikuar së fundmi në JAMA Pediatrics ka treguar se trajtimi i obezitetit që në fëmijëri mund të ketë efekte të qëndrueshme dhe domethënëse në shëndetin afatgjatë, duke reduktuar kështu rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve si: diabeti i tipit 2, dislipidemia, hipertensioni në moshë madhore dhe vdekshmëria e hershme. Por, pavarësisht kësaj, përmirësimet e vërejtura nuk duket se ndikojnë në rrezikun për zhvillimin e depresionit ose ankthit, kushte që shpesh bashkëjetojnë me obezitetin, por duket se rrënjët i kanë të pavarura prej tij.
Të dhënat në lidhje me ndikimin afatgjatë të trajtimit të obezitetit në fëmijëri dhe rrezikun për ngjarje të lidhura me të, përfshirë vdekjen e parakohshme, janë të kufizuara. Hulumtimi, i kryer në Suedi, përfshiu mbi 6713 fëmijë (3777 vajza dhe 2936 djem), me një moshë mesatare në fillimin e trajtimit për obezitetin ishte 12.1 vjet dhe kohëzgjatja mesatare e trajtimit ishte 3,0 vjet. Të dhënat e mbledhura gjatë periudhës 1996-2019, u krahasuan me ato të një popullsie të përgjithshme të përputhura për moshën, gjininë dhe zonën gjeografike. Rezultatet u vlerësuan te individët 18-30 vjeç (2005-2020).
Studimi vlerësoi efektet afatgjata të trajtimit të obezitetit duke analizuar incidencën e sëmundjeve të lidhura me të, si diabeti, hipertensioni dhe problemet kardiovaskulare, si dhe përdorimin e kirurgjisë bariatrike dhe rrezikun e vdekjes së parakohshme. Pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe bazuar në përgjigjen e tyre ndaj trajtimit: të dobët, të ndërmjetëm, të mirë dhe remision i plotë i obezitetit.
Ndër rezultatet më domethënëse të studimit, ishte se një përgjigje e mirë ndaj trajtimit, apo edhe remisioni i plotë i obezitetit, reduktoi në mënyrë drastike rrezikun për zhvillimin të diabetit të tipit 2 (deri në 58% më pak), dislipidemisë (69% më pak) dhe hipertensionit (60% më pak). Nevoja për kirurgji bariatrike gjithashtu u reduktua me 58% te pacientët me një përgjigje të mirë ndaj trajtimit.
Gjetja më befasuese e studimit ndoshta ka të bëjë me vdekshmërinë: ata që iu përgjigjën mirë trajtimit treguan një rrezik 88% më të ulët për vdekje të parakohshme sesa ata që treguan një përgjigje të dobët.
Pavarësisht këtyre rezultateve pozitive, trajtimi i obezitetit pediatrik nuk duket të ndikojë në rrezikun e zhvillimit të depresionit ose ankthit në moshën madhore, dy gjendje që, edhe pse shpesh lidhen me obezitetin, duket se varen nga faktorë të tjerë.
Pavarësisht të gjithave, këto gjetje janë një hap para drejt të kuptuarit të rëndësisë së trajtimit të obezitetit në fëmijëri. Nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e cilësisë së jetës në vitet e para, por me sigurimin e një të ardhmeje më të shëndetshme, me rrezik më të ulët për sëmundje kronike dhe vdekje të parakohshme.
"Mesazhi është i qartë: ndërhyrja e hershme në obezitetin pediatrik nuk është vetëm një çështje kozmetike apo psikologjike, por një investim i vërtetë në shëndetin publik afatgjatë", përfundojnë studiuesit.