nën232018
Riprodhimi i asistuar, rrezik për aftësi të kufizuara intelektuale te fëmija
Sipas një studimi australian, të publikuar në "Pediatrics", me autore kryesore Michele Hansen Kids (Instituti Telethon Kids), përdorimi i teknologjive riprodhuese të tilla si në fertilizimi in vitro (IVF), rrit rrezikun për aftësi të kufizuara intelektuale te pasardhësit, në krahasim me konceptimin natyral.
Mjekët analizuan të dhënat e mbi 2,876 fëmijëve të konceptuar përmes teknologjisë riprodhuese të asistuar (ART) dhe të 207,751 fëmijëve të lindur pa ART në Australinë perëndimore nga viti 1994, deri në vitin 2002. "Fëmijët e lindur me ART kishin 58% më shumë gjasa që të kishin aftësi të kufizuara intelektuale edhe të rënda nga mosha 8-vjeçare ose më shumë, në krahasim me ata të lindur pa ndihmën e këtyre teknologjive. Fëmijët me ART kishin gjithashtu më shumë gjasa të kishin deficite të rënda", shkruajnë studiuesit.
"Mes të gjithë fëmijëve të lindur gjatë periudhës së studimit, 3551 që ishin diagnostikuar me aftësi të kufizuara intelektuale, përfaqësonin rreth 17 fëmijë për 1000 lindje të gjalla, një normë e cila arrin në 20 për 1,000 lindje të gjalla, mes fëmijëve të konceptuar duke përdorur ART", thotë Hanseni, duke theksuar se një lloj IVF-je e njohur si injeksioni intracitoplazmik i spermës (ICSI) ishte përgjegjës për shumicën e rrezikut në rritje me aftësitë e kufizuara intelektuale të vërejtura mes atyre që kanë lindur me ART.
Ndryshe nga IVF-ja tradicionale, ku spermatozoidi dhe veza janë të përziera në një provëz, teknika ICSI përfshin injektimin e drejtpërdrejtë të spermës në qelizën vezë dhe është përdorur shpesh në rastet e infertilitetit mashkullor apo numrit të ulët të spermatozoidëve.
"Fëmijët e lindur me ICSI kishin më shumë se dyfishin e rrezikut për aftësi të kufizuara intelektuale sesa fëmijët e konceptuar pa ART", thonë studiuesit.
Russell Kirby (Universiteti i Floridës jugore), tha në një editorial: "Të dhënat e paraqitura nga autorët mbi shkaqet e aftësisë së kufizuar intelektuale sipas llojit të konceptimit, janë për fat të keq në dispozicion vetëm në 28.3% të rasteve me ART dhe 17,9% të rasteve jo me ART, e cila konfirmon vështirësinë e mbledhjes së të dhënave. Mund të shpresohet vetëm që drejtuesit e politikave shëndetësore të njohin rëndësinë e punës me epidemiologët perinatalë dhe pediatrët, për të zhvilluar bazat e të dhënave të popullsisë që janë të nevojshme për t'iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me rreziqet e trajtimeve të fertilitetit, që janë bërë të zakonshme këto vitet e fundit".
Pediatrics 2018. Doi: 10.1542/peds.2018-1269
http://pediatrics.aappublications.org/content/early/2018/11/14/peds.2018-1269
Pediatrics 2018. Doi: 10.1542/peds.2018-3072
http://pediatrics.aappublications.org/content/early/2018/11/14/peds.2018-3072