Pediatri

pri22019

Vajzat me pubertet të parakohshëm. A rritet shtatlartësia, me analogë të GnRH-së?

Një studim i publikuar kohët e fundit në "European Journal of Endocrinology", kishte si qëllim të verifikonte nëse bllokimi i gonadotropinave me analogë të GnRH-së, ishte efikas për rritjen e shtatlartësisë së vajzave me pubertet të nisur në moshën kronologjike 7-10 vjeç, që përcaktohet si pubertet i hershëm (early puberty, EP).

"Autorët, shpjegon Anna Maria Pasquino (profesore e Pediatrisë në Sapienza, Universiteti i Romës), kanë kryer një rishikim sistematik të këtij argumenti, duke përfshirë studime të kontrolluara në të cilat vajzat me pubertet të parakohshëm u trajtuan me analogë të GnRH-së, ndërsa grupet e tjera nuk u trajtuan. Endpointi kryesor i analizuar ishte shtatlartësia në moshë të rritur". Nga 1514 publikime të ekzaminuara, raporton Pasquino, gjashtë studime, nga të cilat vetëm 2 kanë qenë me përzgjedhje rastësore, plotësuan kriteret e përshtatshmërisë të vendosura nga hulumtuesit. Në fillim të çdo studimi, shtatlartësia, mosha kronologjike, mosha e kockave, shtatlartësia adulte e parashikuar dhe synimi gjenetik, ishin të barabarta midis dy grupeve.
"Në të gjitha studimet, trajtimi aktiv ishte ai me triptorelin im, çdo 28 ditë, për një kohëzgjatje mesatare prej 2 vjetësh. Meta-analiza e shtatlartësisë në moshë të rritur në gjashtë grupe (gjithsej 332 subjekte) nuk tregoi ndonjë ndryshim të dukshëm midis grupeve: trajtimi me analogët GnRH nuk solli asnjë avantazh në shtatlartësinë në moshë të rritur, krahasuar me shtatlartësinë e arritur në subjektet e patrajtuara".

"Me EP, te femrat, nënkuptohet aktivizimi i aksit hipotalamus-hipofizë-gonade me përparim të stadeve të pubertetit në 2 ose 3 të Tanner-it, me shtim të shpejtësisë së rritjes dhe përparimin paralel të moshës së kockave, me 8-10 vjet në Evropë dhe 7-9 vjet në Shtetet e Bashkuara", kujton Anna Maria Pasquino, duke komentuar studimin. "Puberteti përcaktohet si i parakohshëm (PP) kur ndodh para moshës 8-vjeçare te femrat (sot flasim për moshën 7-vjeçare). Në këtë situatë, duke pasur parasysh shpejtësinë e konsiderueshme të rritjes dhe rritjen më të madhe të moshës së kockave, në mungesë të bllokut të gonadotropinës ka një humbje prej së paku 10 cm në shtatlartësinë në moshë të rritur, krahasuar me atë që pritet. Meqenëse në disa raste të EP-së shpejtësia e zhvillimit seksual është më e madhe sesa pritej, ekzistonte frika se shtatlartësia në moshë të rritur mund të ishte e mangët në krahasim me shtatlartësinë e parashikuar dhe atë të synuar të prindërve (objektivi gjenetik) dhe rrjedhimisht u kryen studime klinike me subjekte të trajtuara dhe të patrajtuara, për të verifikuar nëse bllokimi i pubertetit përmirëson shtatlartësinë në moshë të rritur".

"Ky studim kompleks, vazhdon pediatria, u ndërmor për të verifikuar dobinë e terapisë me metoda të sakta statistikore: burimet janë cituar me saktësi dhe është paraqitur një tabelë rrjedhëse për të identifikuar studimet e pranueshme dhe për të shmangur rrezikun e gabimeve ose të pasaktësive. Përfundimet përsërisin se studimet e kontrolluara eksperimentale dhe ato vëzhguese krahasuese me dhe pa terapinë me analogë të GnRH-së, nuk kanë gjetur asnjë dëshmi se terapia rrit shtatlartësinë në moshë të rritur. Nuk besohet se studime të tjera me përzgjedhje ratësore me të njëjtën terapi, mund të japin rezultate të ndryshme. Në vend të kësaj, janë të nevojshme studime të mëtejshme vëzhguese për të vlerësuar nëse EP ka ndikim negativ në cilësinë e jetës dhe në aspekte të tjera psiko-sociale", përfundon Anna Maria Pasquino.


Eur J Endocrinol, 2018;179:381-390. doi: 10.1530/EJE-18-0473.
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30324797


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>