pri112023
Nis përzgjedhja e kandidatëve për specializimet. Rektori Arben Gjata: Kemi gati planin e frenimit të ikjes
Ka nisur këtë të martë përzgjedhja e kandidatëve fitues në degët e mjekësisë. Këtë vit kanë aplikuar 378 kandidatë, ndërkohë që do të pranohen 325 kandidatë. Ndonëse kërkesat e ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë më të larta për mjekë familjeje, mjekë reanimatorë dhe mjekë urgjence, për të cilët këtë vit u rritën kuotat e pranimit, studentët preferojnë më shumë degë, si: kardiologjia, endokrinologjia dhe dermatologjia. Rektori i Universitetit të Mjekësisë tha se paralelisht kemi bërë gati planin për të frenuar ikjen e mjekëve drejt Gjermanisë.
"Studentët e mjekësisë do të duhet të punojnë 3 vjet në sistemin tonë mjekësor. Për këtë do të duhet të lidhin një kontratë", theksoi rektori i UMT-së, prof. Arben Gjata.
"Pasi të kenë lidhur një kontratë se për tre vite do të punojnë në sistemin tonë mjekësor, studentët do të pajisen me një certifikatë diplomimi jo origjinale. Ajo thjesht u jep mundësi që të hyjnë në sistem dhe i pengon për t'u punësuar në klinika jashtë Shqipërisë. Po kështu, nga ana tjetër, çdo student që nuk e lidh kontratën do të duhet të kthejë mbrapsht 18 mijë dollarë, kostoja që shteti shqiptar paguan për vitet e tij të studimit", theksoi prof. Arben Gjata.
Një pjesë e mirë e studentëve që frekuentojnë mjekësinë nuk paguajnë tarifë studimi, por marrin 100 mijë lekë nga shteti pasi vijnë me rezultate të mira, një pjesë tjetër paguan vetëm gjysmën e tarifës që është 45 mijë lekë në vit, sqaroi rektori i universitetit.
Ndërsa mjekët, përveçse marrin këtë muaj rritjen e pagës, do të kenë edhe kushte më të mira pune. Por, ajo që është e rëndësishme do t'u mundësohen kredi të buta për të blerë shtëpi. Po nëse ata largohen nga Shqipëria, do t'u duhet t'i kthejnë paratë me interesa sikur të kishin aplikuar me procedurë normale në bankë? Për rektorin e Univeristetit të Mjekësisë rëndësi ka që mjekët të futen në sistemin tonë shëndetësor dhe me këta stimuj mbështetës, prof. Gjata beson se mjekët nuk do të duan të largohen.
Alma Demiraj