shk172023
Rektori i UMT, prof. dr. Arben Gjata: Kanë ikur shumë mjekë. Kostot për përgatitjen e një mjeku, 12.000-18.000 dollarë
Shqipërisë po i largohen çdo ditë jo vetëm mjekë të rinj, por edhe mjekë të mirëpërgatitur, duke lënë bosh specialitete të ndryshme në spital. Sipas rektorit të Universitetit të Mjekësisë prof. dr. Arben Gjata, vende si Gjermania kanë krijuar lehtësira duke u njohur diplomën për të thithur sa më shumë mjekë.
"Që nga viti 2016, Shqipërisë i kanë ikur mbi 1000 mjekë jo vetëm të rinj, por edhe mjekë që kanë vite që ushtrojnë aktivitetin. Qëkur Gjermania ndryshoi ligjin, u njohu diplomën mjekëve tanë, kemi pasur një numër të rëndësishëm mjekësh që na kanë ikur. Mjafton të dinë gjermanisht në nivelin B dhe e kanë më të lehtë për të ikur", shprehet rektori i UMT prof. dr. Arben Gjata.
Shteti shqiptar shpenzon afro 3 mijë dollarë në vit për të përgatitur një mjek të cilin në fund e marrin gati vendet e Bashkimit Europian.
"Ne nuk i kemi të sakta shifrat në përllogaritje pasi duhen përfshirë edhe materialet e konsumit të cilat studentët gjatë praktikës, përdorin ato të spitalit. Por, duke iu referuar vendeve të ngjashme me ne si përsa iu përket pagave, GDP si p.sh. Vietnami e të tjera për një student shpenzimet janë afro 3000 dollarë, ndërsa për të gjithë ciklin e studimeve që te ne është 6 vjet shkon nga 12-18 mijë dollarë", shpjegon prof. Gjata.
Për të mbajtur mjekët në Shqipëri, pra, për të mos e braktisur ushtrimin e profesionit në vendin e tyre, po përgatitet një strategji ku parashikohet jo vetëm rritje page, por edhe kredi të buta për mjekët e rinj, në mënyrë që ata ta kenë më të lehtë për të blerë një apartament. Po kështu, po rrisim kuotat e pranimit për studentë të rinj çdo vit në Fakultetin e Mjekësisë dhe në vitin e parë të vitit akademik 2024 parashikohet të pranohen 500 studentë të rinj vetëm për mjekësi. Po kështu, po punohet paralelisht për të përmirësuar infrastrukturën nëpër spitale, theksoi prof. dr. Arben Gjata.
Alma Demiraj