kor102023
Vendimi detyrues për studentët e Mjekësisë. Prof. Draçini: Profesioni i mjekut nuk është privilegj, por përgjegjësi ndaj pacientit dhe shoqërisë
Pas vendimit të qeverisë për detyrimin e mjekëve të rinj për të ofruar shërbim shëndetësor për 5 vite në vendin e tyre është shprehur dekani i Fakultetit të Mjekësisë prof. Xheladin Draçini, i cili thekson se ikja e mjekëve është një fenomen që po ndodh në shumë vende dhe secili vend po përcakton strategjitë e veta.
"E drejta e protestës dhe diskutimi publik është i hapur për të gjithë dhe në fakt është shenjë e qartë e një demokracie funksionale dhe e parimeve bazë universitare. Sigurisht, problemi është më i gjerë sesa problem shqiptar sepse në momentin aktual, në sistemin shëndetësor botëror, janë 10 milionë vende vakante pune në të gjitha profesionet e shëndetit. Pra, ka nevojë të madhe për mjekë dhe të gjitha vendet kanë gjetur strategjitë e veta. Sigurisht, e drejta për shëndet është një e drejtë themelore e sanksionuar në kushtetutë në nenin 55 që në mënyrë të barabartë qytetarët shqiptarë kanë të drejtën për shëndet madje për një shëndet cilësor, siç theksohet në nenin 59. Pra, kjo e drejtë universale realizohet mes profesioneve shëndetësore ku mjekët janë në një pozicion qendror. Studentët e mjekësisë janë mjekët e ardhshëm. Faktin që ata marrin pjesë aktive në përgjegjësinë e sistemeve shëndetësore, studentët tanë e treguan gjatë pandemisë së Covid-19 kur ata iu përgjigjën kërkesës së sistemit shëndetësor për ndihmë. Pra, jam i bindur se studentët, kërkesës për shërbim shëndetësor të popullatës do t'i përgjigjen pozitivisht. Natyrisht, që të gjitha elementet që funksionojnë për mbajtjen e trurit në Shqipëri ne do t'i përdorim, duke filluar që nga ngritja e cilësisë së nivelit universitar, që ka qenë e vazhdueshme, por që synojmë të jetë edhe më shumë dhe njëkohësisht në ndërtimin e bonuseve dhe incentivave që u diskutuan gjerësisht në Kongresin e Shëndetësisë vitin e kaluar, ku u identifikua problemi dhe u diskutuan strategjitë", u shpreh dekani Draçini.
Ikja e mjekëve është një problem i të gjithë shoqërisë, u shpreh Draçini, ndaj mos t'i stigmatizojmë ata duke e konsideruar vetëm si një problem të studentëve.
"Në radhë të parë, ky është një dialog publik ku merr pjesë e gjithë shoqëria dhe studentët janë një pjesë aktive. Të mos harrojmë se studentët janë një pjesë e mirë e shoqërisë. Pra, mos t'i stigmatizojmë dhe t'i konsiderojmë sikur ky është vetëm një problem i studentëve. Ata thjesht mundohen të dialogojnë me pjesën tjetër të shoqërisë dhe sigurisht, shoqëria do të ketë parasysh kërkesat e tyre, por duke iu vënë atyre përballë edhe cili është misioni i mjekut. Mjeku nuk është një profesion, mjeku është një mision dhe sigurisht, ky mision ka disa sakrifica. Natyrisht, nuk mund ta konceptojmë që të punosh në vendin tënd është sakrificë, përkundrazi. Por, gjithsesi mendoj se diskursi dhe debati publik i nisur do të finalizohet me përfshirjen aktive të studentëve në këtë proces".
Dekani Draçini ka dhe një mesazh:
"Në cilësinë e dekanit, por edhe të një pedagogu të vjetër kam vetëm një mesazh, që profesioni i mjekut nuk është një privilegj, por një profesion i nevojshëm dhe i domosdoshëm që ofron përgjegjësi të mëdha kundrejt pacientit dhe gjithë shoqërisë. Problemet deficitare në mësimnxënie dhe praktika mësimore të bartuara nga vitet problematike të pandemisë dhe tërmetit, do të gjejnë zgjidhjen e tyre në vazhdim dhe këtë e garantojmë", u shpreh prof. dr. Xheladin Draçini.
Alma Demiraj