Pediatri

tet222019

Në 10 vjet, 700% shtim i rasteve me cifozë. Si t'i menaxhojmë që në fëmijëri patologjitë osteoartikulare?

Që nga lindja, zhvillimi si duhet i strukturës kockore është i domosdoshëm për zhvillimin e çdo lloj aktiviteti, ndaj është thelbësore të kujdesemi për sistemin osteoartikular që në moshë pediatrike. Në një takim të Shoqatës Italiane të Ortopedisë dhe Traumatologjisë (SIOT), të mbajtur në Milano, është folur për disa patologji që, nëse nuk kurohen në fëmijëri, rrezikojnë të komprometojnë shëndetin e ardhshëm të të gjithë skeletit. "Kështu, është thelbësore që, për çfarëdolloj shqetësimi që ka lidhje me kockat dhe me nyjat, t'i drejtohemi specialistit", thotë Francesco Falez, president i SIOT-it.

"Që nga hapat e parë, ekziston mundësia për t'u përballur me rreziqe të zakonshme që mund të shkaktojnë trauma të lehta ose paaftësuese. Për më tepër, nuk duhet të nënvlerësohet se si disa nga këto çrregullime mund të shmangen falë përvetësimit të qëndrimeve dhe sjelljeve të sakta, që nga fëmijëria e hershme. Nga ana tjetër, pozicionet e pasakta, të cilat mund të degjenerojnë me moshën, shpesh shoqërohen me përdorim të tepruar të pajisjeve teknologjike, si: tablet, pc, smartphone, përgjegjës në shumë raste të cifozës, deformim i shtyllës kurrizore në planin sagital, që ka patur një shtim prej 700% të rasteve të regjistruara në shkollat nëntëvjeçare gjatë 10 viteve të fundit.

"Bëhet fjalë për një "bombë të vërtetë sociale", shprehet Carlo Ruosi (docent i Ortopedisë dhe Traumatologjisë në Universitetin Federico II Napoli). "Numri i madh i orëve gjatë ditës, që fëmijët i kalojnë të përkulur para "dadove elektronike" që nga mosha 3-4-vjeçare, është shkak i këtij shqetësimi që, shpesh është nënvlerësuar. Thelbësor, në këto raste, është diagnostikimi i hershëm.

 

Menaxhimi sipas diagnozave

Ndërkohë që në fazë fillestare ekziston mundësia e ndërhyrjes me riedukim motor dhe me gjimnastikën e duhur, në fazë të përparuar është e nevojshme që t'i veshim fëmijës bustin ortopedik. Në rastet në të cilat diagnoza vjen shumë vonë, duhet t'i drejtohemi kirurgjisë". Nëse gjimnastika mjekësore mund të shërojë cifozën e diagnostikuar në fazë fillestare, nuk mund të themi të njëjtën gjë për skoliozën, patologji e shkaktuar nga predispozita gjenetike dhe e karakterizuar nga një deformim në formë "S"-je i shtyllës kurrizore, që zakonisht godet vajzat 10-14 vjeçe. Në këtë rast, SIOT-i nënvizon si trajtimin e vetëm, aplikimin e bustit ortopedik.

Ata që duhet të veshin patjetër një tutor janë fëmijët më të vegjël, të prekur nga displazia kongjenitale e legenit, patologji që zhvillohet gjatë jetës intrauterine dhe që shkakton një alterim progresiv të raporteve mes kokës së femurit dhe të acetabulumit. "Është një shqetësim që duhet diagnostikuar që në lindje, përmes ekzaminimit klinik, me manovrën specifike të Ortolanit dhe një ekografi të posaçme skrinimi, për t'u ndjekur mundësisht rreth javës së gjashtë".
Kjo është e rëndësishme për trajtimin e domosdoshëm të problemit, të evidentuar tashmë, shpjegon Pasquale Farsetti, docent i Sëmundjeve të Aparatit Lokomotor, Universiteti Tor Vergata, Romë). Trajtimi bëhet përmes përdorimit të një tutori, statik apo dinamik, që i mban vithet të lëvizshme dhe jep mundësi për ta mbajtur në qendër kokën e femurit, në brendësi të acetabulumit, duke zgjidhur për pak muaj kuadrin e displazisë acetabolare dhe të paqëndrueshmërisë artikulare.
"Nëse diagonza është e vonë, duhet t'u drejtohemi trajtimeve më invazive në anestezinë e përgjithshme, deri te kirurgjia", vazhdon Farsetti. "Në çdo rast, pas 3-5 vitesh moshë, trajtimi bëhet shumë i ndërlikuar, për shkak të vendosjes së ngurtësisë artikulare.

 

Komplikacioni të cilit duhet t'i trembemi më shumë

Komplikacioni të cilit duhet t'i trembemi më shumë është nekroza ishemike e kokës së femurit, që manifestohet me incidencë më të madhe në rastet më të rënda. Persistenca e një displazie në moshë të rritur sjell në mënyrë të paevitueshme një degjenerim artrozik të këllkut, që shpesh ka nevojë për protezë".
Sa i përket gjurit valgus (këmbë në formë "X"), shumë shpesh, rreth moshës 3-vjeçare, "bëhet fjalë për një devijim aksial të gjymtyrëve të poshtme, që manifestohet me një shtim të këndit femuro-tibial", thotë Farsetti. "Kjo është pasojë e një çekuilibrimi kalimtar të aktivitetit të kartilageve, të rritjes distale të femurit dhe proksimal të tibias. Në 98% të rasteve, një kusht i tillë zgjidhet në mënyrë spontane rreth vitit 7-8 të jetës.
Evoluimi analog ka "këmbën e sheshtë", gjendje në të cilën, harku longitudinal i këmbës paraqitet më i ulët se norma, madje edhe mund të mungojë. "Përgjithësisht, vëren Farsetti, është i pranishëm në formë kalimtare në vitet e para të jetës së shumë fëmijëve, kur duhet konsideruar fiziologjik". Zgjidhet në mënyrë spontane dhe nuk është e nevojshme t'iu drejtohemi shuajve për trajtimin e saj, siç është konstatuar tashmë prej shumë vitesh. Këmba e sheshtë patologjike, në fakt, manifestohet pas 6-7 viteve të para të jetës, shpesh është familjare dhe është në gjendje asimptomatike, ndërsa në raste të rralla në të cilat shfaqet në formë të dhimbshme, është e nevojshme të ndiqet një trajtim specifik që mund të jetë mbajtës, përmes përdorimit të shuajve apo trajtimit kirurgjik".

 

Tumori malinj më i shpeshtë në moshë pediatrike 

Në fund, në lidhje me patologjinë tumorale të kockës, osteosarkoma është tumori malinj i kockës, më i shpeshtë në moshë pediatrike dhe pozicionohet në vend të tetë, mes tumoreve të fëmijërisë, për incidencë (2,4%); e ndjekur nga sarkoma e Evving, me një incidencë prej 1,4%. "Duhet nënvizuar, deklaron Falez, se vitet e fundit, prognoza për këto patologji është përmirësuar në mënyrë të dukshme, me një mbijetesë që ka kaluar nga 15% në 65-70%, falë njohurive më të mira shkencore dhe përmirësimit të teknikave kirurgjikale".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>