kor102024
Vaksinat. SIP: heqja e detyrimit do të ishte irracionale
Vaksinimet përbëjnë një nga mjetet më efikase në parandalimin e sëmundjeve infektive dhe janë thelbësore për garantimin e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijëve. Tryeza teknike e sëmundjeve infektive dhe vaksinimeve të Shoqatës Italiane të Pediatrisë (SIP) ka shprehur kundërshtimin e saj të prerë ndaj amendimit të dekretit për listat e pritjes, me anë të së cilit planifikohet që vaksinat kundër fruthit, rubeolës, shytave dhe lisë së dhenve, të kthehen në "të rekomanduara". Sipas SIP, heqja e vaksinimit të detyrueshëm do të ishte irracionale. Në një kontekst ku dezinformimi është i përhapur, ata paralajmërojnë se një propozim i këtij lloji mund të vërë në rrezik shëndetin publik, vetë qytetarët dhe të gjithë shoqërinë.
"Ligji mbi vaksinimin e detyrueshëm për të hyrë në shkollë ka rezultuar efikas në rritjen e numrit të vaksinimeve në një moment historik, gjatë të cilit ky numër po ulej. Nëse marrim parasysh fruthin, sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse me 0.1-0.2% normë vdekshmërie (1-2 në 1000) në vendet e zhvilluara, përpara prezantimit të ligjit, numri i vaksinimeve për lindjet në 2014 brenda 24 muajsh ishte 87.21%. Aktualisht, për lindjet e vitit 2020, kjo përqindje shkoi në 94.38%, por janë ende 22.755 fëmijë të pambrojtur nga fruthi brenda 24 muajve", kujtojnë pediatrët.
Po të analizojmë më tej të dhënat, në grupmoshën 5-6-vjeçare, më shumë se 73.000 fëmijë rezultojnë të pambrojtur siç duhet me një, ose dy doza vaksina kundër fruthit. Në grupmoshën 18-vjeçare, situata është akoma më shqetësuese: më shumë se 37.000 tetëmbëdhjetë vjeçarë nuk e kanë kryer dozën e parë të vaksinës kundër fruthit dhe më shumë se 67.000 nuk kanë kryer të dytën.
Propozimi për heqjen e vaksinimeve të detyrueshme pediatrike kundër fruthit, rubeolës, lisë së dhenve dhe shytave nuk ka asnjë bazë shkencore. Vaksinat janë barna të sigurta dhe efektive, thelbësore për mbrojtjen e atyre që mund të preken më lehtë nga sëmundjet e rrezikshme infektive që janë në gjendje të shkaktojnë epidemi të vërteta, siç ndodh me fruthin që prek mijëra fëmijë çdo vit, me pasoja të konsiderueshme në shëndetin e tyre.