maj302024
Fruthi. Më shumë se 56.000 raste në Evropë, drejt tejkalimit të shifrave të 2023
Rastet me fruth po shtohen në të gjithë Evropën dhe të dhënat e vitit 2024, pritet t'i tejkalojnë shumë shpejt ato të 2023. Këto janë të dhënat nga analiza e OBSH-së dhe UNICEF-it mbi situatën aktuale. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, u regjistruan zyrtarisht 56.634 raste me fruth dhe 4 të vdekur, në 45 nga 53 shtetet e rajonit evropian të OBSH-së. Gjatë vitit 2023, shifra e infektimeve të regjistruara ishte pak më e lartë, 61.070, si dhe 13 të vdekur, në 41 shtete.
Ekspertët shpjegojnë, se fruthi mund të ketë efekte të rënda në shëndetin e fëmijëve, nga të cilët ata më të vegjlit janë më të rrezikuar për komplikacione. Normat e larta të shtrimeve në spital dhe dobësimit të zgjatur të sistemit imunitar, i bëjnë më të prekshëm nga sëmundje të tjera infektive. Më shumë se gjysma e atyre që janë prekur nga fruthi në rajonin evropian të OBSH-së në vitin 2023, ishin të shtruar në spital, duke treguar barrën e rëndë mbi pacientët, familjet e tyre dhe sistemet shëndetësore.
"Edhe një rast i vetëm me fruth duhet të përbëjë një nxitje urgjente për të vepruar. Askush nuk duhet t'i vuajë pasojat e kësaj sëmundjeje të lodhshme, por lehtësisht të parandalueshme. Përgëzoj çdo shtet që ka shtuar përpjekjet për ndërprerjen e transmetimit, përmes vaksinimit. U bëj thirrje të gjitha shteteve të veprojnë menjëherë, edhe aty ku numri i vaksinimeve është i lartë, me qëllim vaksinimin e individëve me imunitet të dobët, plotësimin e boshllëqeve imunitare, si dhe parandalimin e përhapjes së virusit në çdo komunitet. Pothuajse gjysma e rasteve të raportuara në vitin 2023, u konstatuan te fëmijët 5 vjeç e poshtë. Ky fakt reflekton grupin e fëmijëve që nuk iu janë nënshtruar vaksinave rutinë kundër fruthit dhe sëmundjeve të tjera të parandalueshme gjatë pandemisë së Covid-19, e cila u pasua nga një rikuperim i ngadaltë numrit të vaksinimeve në vitet 2021 dhe 2022", thekson drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Nga fëmijët 5 vjeç e poshtë, që u infektuan me fruth në vitin 2023, më shumë se treçereku nuk i ishte nënshtruar asnjë doze vaksinimi kundër kësaj patologjie. Afro 99% e këtyre fëmijëve nuk kishin kryer asnjërën prej të dyja dozave të vaksinës kundër fruthit.
Infektimet po shtohen edhe në botë. Gjatë vitit 2023 u regjistruan 300.000 raste me fruth në botë dhe shifrat e deritanishme tregojnë se për këtë vit, ato do të jenë të njëjta, ose do t'i tejkalojnë shifrat e vitit 2023.
Bartjet e këtij virusi në shtete dhe kontinente po vazhdojnë ende dhe vatrat e kësaj sëmundjeje jashtëzakonisht infektive, verifikohen kudo ku virusi gjen grupe individësh të pavaksinuar, apo të vaksinuar me më pak doza. Vendet që aktualisht nuk kanë raste apo vatra të fruthit duhet të jenë proaktive në planifikimin dhe përgatitjen për çdo rast, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit brenda dhe jashtë vendit. Vendet që kanë vatra aktive duhet të vazhdojnë përpjekjet për vaksinimin e të gjithë individëve me imunitet të dobët, të shtojnë studimet e rasteve dhe gjurmimet e infektimeve, si dhe të përdorin të dhëna epidemiologjike për identifikimin e mungesës së vaksinimit, me qëllim që programet të garantojnë mbrojtjen e duhur për komunitetet e prekura dhe të parandalojnë shpërthimet e ardhshme.