nën282022
OBSH e alarmuar: Fruthi kërcënim, bie vaksinimi. Silva Bino: Pandemia ka ulur vaksinimin edhe në Shqipëri
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se imunizimi ndaj fruthit ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i pandemisë së coronavirusit, duke rezultuar në një rekord të lartë prej afro 40 milionë fëmijë që kanë humbur një dozë vaksine vitin e kaluar.
Në një raport të lëshuar të mërkurën, OBSH-ja dhe CDC-të thanë se miliona fëmijë tani janë më të rrezikuar ndaj fruthit, një ndër sëmundjet më ngjitëse në botë. Në vitin 2021, autoritetet shëndetësore thanë se kishte rreth 9 milionë infeksione të fruthit dhe 128,000 vdekje në mbarë botën.
Shqipëria është një ndër vendet ku vaksinimi ndaj fruthit ka rënë ndjeshëm, çka bën që foshnjat nën 1 vjeç dhe jo vetëm të jenë të riskuara.
"Edhe në Shqipëri ka rënë vaksinimi ndaj fruthit nën 95% për shkak se prindërit kanë tendencën ta shtyjnë këtë vaksinë dhe të mos e bëjnë kur fëmija mbush 1 vjeç. Por, në fakt kjo është gabim pasi deri atëherë fëmija ka imunitet nga nëna e më pas ky imunitet fillon të bjerë. Ka dhe prindër të tjerë të cilët nuk u vaksinuan as vetë ndaj Covidit dhe nuk vaksinojnë as fëmijët sipas kalendarit të detyrueshëm. Por, ky është një risk që e marrin mbi supe për fëmijët e tyre dhe riskojnë edhe të tjerët", shprehet shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP.
Para 3 vitesh një foshnje 4 muajsh humbi jetën pasi ra në kontakt me fruthin nga një tjetër fëmijë i cili ishte i pavaksinuar dhe u paraqit për vizitë mjekësore në urgjencën e pediatrisë në QSUT, duke bërë që të infektoheshin edhe pacientë të tjerë të vegjël që ishin paraqitur për të tjera probleme shëndetësore.
Shkencëtarët vlerësojnë se të paktën 95% e një popullsie duhet të imunizohet për t'u mbrojtur nga epidemitë; OBSH-ja dhe CDC-të raportuan se vetëm rreth 81% e fëmijëve marrin dozën e parë të vaksinës së fruthit ndërsa 71% marrin dozën e dytë, duke shënuar shkallën më të ulët të mbulimit global të dozës së parë të fruthit që nga viti 2008.
Fruthi përhapet kryesisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose në ajër dhe shkakton simptoma si ethe dhe dhimbje muskujsh. OBSH-ja thotë se komplikimet serioze janë më serioze te fëmijët nën pesë vjeç dhe të rriturit mbi 30 vjeç.
Alma Demiraj