dhj222020
Insuficienca kardiake. Ja, simptomat e hershme që nuk duhen humbur
Ata që shtrohen në spital me diagnozë insuficience kardiake, mund të kenë përjetuar simptoma të hershme të ngjarjes akute, por që nuk janë vënë re menjëherë nga mjekët, të paktën sipas një studimi që ka krahasuar tre grupe, secili me mbi 26,000 pacientë të shtruar në spital për insuficiencë kardiake të sapodiagnostikuar ose të qëndrueshme ose për bronkopneumopati obstruktive kronike (BPOK).
"Numri i vizitave ambulatore, shtrimet në spital për arsye të tjera ose frekuenca e paraqitjes në urgjencë filloi të rritet vazhdimisht gjatë vitit të kaluar, shumë më tepër mes atyre që, më tej, janë diagnostikuar me insuficiencë kardiake apo bronkopneumopati obstruktive kronike", thotë Kim Anderson, i spitalit Mbretëresha Elizabeth II në Halifax, Kanada, bashkautor i artikullit të sapobotuar në "Journal of the American College of Cardiology: Heart Failure", duke specifikuar se rritja e performancës së kujdesit shëndetësor është shënuar veçanërisht midis pacientëve me insuficiencë kardiake, krahasuar me ata me BPOK.
"Shumë njerëz që zhvillojnë gradualisht insuficiencë kardiake, diagnostikohen vetëm pas shtrimit në spital dhe ndërveprimeve të shumta me sistemin shëndetësor", shkruajnë autorët, duke shtuar se një shtim i frekuencës së kontaktit me mjekët, duke pasur parasysh një profil të qëndrueshëm të simptomave, mund të konsiderohet një paralajmërim i vërtetë. "Sistemet shëndetësore aktuale janë të mirëpajisura për t'iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme ngjarjeve akute, por për fat të keq, ato janë më pak proaktive në identifikimin e simptomave që mund të çojnë në shtrim në spital me kalimin e kohës", vazhdon Anderson. Në një editorial, Harlan Krumholz, nga Shkolla e Mjekësisë në Yale, Konektikat, komenton: "Këto zbulime sugjerojnë, veçanërisht për mjekët e kujdesit parësor dhe kolegët e urgjencës, që një dyshim për insuficiencë kardiake është i nevojshëm sa herë që një pacient paraqet simptoma të tilla si dispne, lodhje ose edemë në gjymtyrët e poshtme".
J Am Coll Cardiol Heart Fail. 2020. Doi: 10.1016/j.jchf.2020.07.008
http://doi.org/10.1016/j.jchf.2020.07.008
J Am Coll Cardiol Heart Fail. 2020. Doi: 10.1016/j.jchf.2020.09.007
http://doi.org/10.1016/j.jchf.2020.09.007