Kardiologji

pri42022

Insuficienca kardiake. Studiohen llojet e suplementeve që ofrojnë përfitim klinik

"Gjatë dekadave të fundit, ka dalë në pah një marrëdhënie midis uljes së prodhimit kardiak, reduktimit të fosforilimit oksidativ mitokondrial dhe prodhimit të tepërt të radikaleve hidroksilike, ngjarje që, të marra së bashku, shkaktojnë një varfërim progresiv të adenozinë trifosfatit (ATP) në nivelin kardiak, me një reduktim relativ të furnizimit me energji të indit miokardik", thotë studiuesi Nils Bömer (Departamenti i Kardiologjisë në Qendrën Mjekësore Universitare në Groningen, Holandë), një studimi të botuar në Journal of Internal Medicine.

Studiuesi kujton se mikronutrientët, duke përfshirë koenzimën Q10, zinkun, bakrin, selenin dhe hekurin janë faktorë të domosdoshëm në procesin e sintezës së ATP-së dhe deri gjysma e pacientëve me insuficiencë kardiake ka mungesë të një ose më shumë mikroelementeve. Prandaj, plotësimi i dietës me këta mikronutrientë, mund të përmirësojë prodhimin e energjisë mitokondriale për qelizat e zemrës, duke ofruar një trajtim efektiv për insuficiencën kardiake.

"Kjo mungesë ka një ndikim të fortë në prodhimin e energjisë mitokondriale dhe duhet konsideruar si një faktor shtesë në ekuacionin e insuficiencës kardiake, i përkeqësuar ndjeshëm nga reduktimi i kapacitetit bioenergjetik", vazhdon Bömeri, duke shpjeguar se miokardi me defekt mund të shihet edhe si një motor pa karburant. Por, shtimi i furnizimit të substrateve të energjisë, si acidet yndyrore, glukoza dhe ketonet në mitokondri nuk mund të jetë e suksesshme nëse mitokondritë nuk mund t'i transformojnë ato, falë pranisë së mikronutrientëve, në lëndë djegëse, domethënë në ATP.

Në një editorial shoqërues Nicolas Girerd, profesor i asociuar i kardiologjisë në Spitalin Universitar të Nancy-t në Francë, shkruan: "Kjo analizë e shkëlqyer dhe gjithëpërfshirëse i hap rrugën hipotezës se mikronutrientët mund të jenë një trajtim efektiv në insuficiencën kardiake. Hapi tjetër, duke pasur parasysh provat bindëse mbështetëse, është ndërmarrja e studimeve të mëdha që konstatojnë një përfitim të rëndësishëm klinik".


Journal of Internal Medicine 2022. Doi: 10.1111/joim.13456
https://doi.org/10.1111/joim.13456

Journal of Internal Medicine 2022. Doi: 10.1111/joim.13455
https://doi.org/10.1111/joim.13455


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>