shk272024
Sasia e madhe e proteinave përkeqëson arteriet
Në një studim të publikuar në Nature Metabolism, kërkuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Pitsburgut prezantuan një mekanizëm molekular, përmes së cilit teprica e proteinave në dietë mund të shtojë rrezikun për aterosklerozë.
"Ne kemi treguar se shtimi i marrjes së proteinave me qëllim arritjen e një shëndeti më të mirë metabolik, mund të shkaktojë dëmtime të arterieve", shpjegon Babak Razani, autor kryesor i studimit. Duke u nisur nga kërkimet fillestare te njerëzit, të kryera për të përcaktuar sekuencën kohore të aktivizimit të qelizave imunitare pas ushqimit të pasur me proteina, studiuesit kanë simuluar kushte të ngjashme te minjtë dhe te makrofagët njerëzorë, qeliza imune që treguan se ishin veçanërisht të ndjeshme ndaj aminoacideve me prejardhje nga proteina.
Ata vunë re se konsumimi i më shumë se 22% të kalorive ushqimore ditore në formën e proteinave mund të ndikojë negativisht te makrofagët përgjegjës për eliminimin e mbetjeve qelizore, duke çuar në akumulimin e qelizave të vdekura brenda mureve të enëve dhe përkeqësimin e pllakave aterosklerotike me kalimin e kohës. Analiza e aminoacideve në qarkullim ka treguar se leukina, e pranishme te produktet shtazore, si: mishi i viçit, vezët dhe qumështi, ishte shkaktari kryesor i aktivizimit anormal të makrofagëve dhe rrezikut për aterosklerozë. Autorët theksojnë se ka ende shumë pika për të qartësuar, sidomos se çfarë ndodh kur një person merr një sasi 15-22% kalorish nga proteinat, në bazë të rekomandimit të Departamentit të Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USDA) dhe nëse ekziston një vlerë që lejon shtimin e përfitimeve nga proteinat, si rritja e masës muskulore dhe që shmang nxitjen e një kaskade molekulare ngjarjesh të dëmshme që shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare. Rezultatet janë shumë të rëndësishme në mjedis spitalor, në të cilën shpesh nutricionistët rekomandojnë ushqime të pasura me proteina për pacientët e sëmurë, në mënyrë që ata të ruajnë masën dhe forcën muskulore.
"Është e rëndësishme që dieta të vlerësohet në tërësi dhe të rekomandohen vakte të ekuilibruara, që nuk riakutizojnë pa qëllim patologjitë kardiovaskulare, sidomos te personat me rrezik për sëmundje kardiake dhe çrregullime vaskulare", përfundojnë autorët.
Nature Metabolism 2024. Doi: 10.1038/s42255-024-00984-2
http://doi.org/10.1038/s42255-024-00984-2