Diabetologji

jan32018

Diabeti i tipit 2. Pse rezultatet klinike nuk i përgjigjen shtimit të terapive?

Studimet me përzgjedhje rastësore të kontrolluara (RCT) kanë treguar qartësisht se arritja dhe ruajtja e një niveli glicemik optimal parandalon ose vonon zhvillimin e patologjive mikrovaskulare dhe makrovaskulare. Pavarësisht se që nga viti 2005, Administrata e Ushqimit dhe e Barnave (FDA) ka aprovuar më shumë se 40 terapi të reja efikase për diabetin tip 2, të dhënat e fundit tregojnë se përqindja e pacientëve që arrijnë objektivin (nën pragun 7%) e vlerave të hemoglobinës së glikuar (HvA1c) nuk e kalon 50% në total, me ndryshime të papërfillshme në 10 vitet e fundit. Të dhënat e regjistruara nga HEDIS, një instrument matës cilësor i përdorur nga Qendrat e shërbimeve Medicare dhe Medicaid (CMS) për monitorimin e shërbimeve shëndetësore, raportojnë nivele akoma më alarmante:
- Jo më shumë se 40% e të asistuarve arrijnë vlera të HbA1c nën 7%. "Edhe në këtë rast, të dhënat nuk kanë pësuar ndryshime domethënëse gjatë viteve të fundit", konfirmon Stiven Edelman në Universitetin e Kalifornisë, autor kryesor i një artikulli të publikuar në "Diabetes Care" në të cilin analizon aspektet e nivelit glicemik në botën reale.
Por, përse rezultatet e përftuara nga pikëpamja klinike nuk janë në të njëjtin hap me shtimin e opsioneve të reja terapeutike?
Kësaj pyetjeje mundohet t'i përgjigjet një studim retrospektiv grupi i kohëve të fundit, nga i cili zbulohet se në përditshmëri, reduktimi i HbA1c, së derivuar nga trajtimi i diabetit është shumë më i ulët se ai i raportuar në studimet klinike të randomizuara (RCT), të konsideruara deri tani si standardi i studimeve klinike. Ndryshimet midis rezultateve të HbA1c-së janë përftuar nëpërmjet analizave të regresionit me shumë ndryshore, që kanë vlerësuar rolin që luajnë karakteristikat e pacientit bazë, terapinë farmakologjike dhe respektimin e saj. Studimi ka zbuluar se respektimi më i madh apo më i vogël i terapisë është faktori kyç që qëndron në bazë të këtij ndryshimi domethënës.
"Edhe pse respektimi i dobët i kurave nuk është një problem i ri, çështja nuk është ballafaquar akoma në mënyrë efikase në praktikën klinike, shpesh sepse është nënvlerësuar", shkruan Edelmani, i cili përfundon: "Për t'i ndihmuar mjekët dhe pacientët që të përmirësojnë në maksimum kontrollin glicemik, nevojiten qasje inovative që marrin në konsideratë të dhënat e botës reale, krahas rezultateve të studimeve RCT".

Diabetes Care 2017. Doi: 10.2337/dc16-1974
http://care.diabetesjournals.org/content/40/11/1425


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>