Diabetologji

kor162018

Më të rrezikuara nga diabeti, janë gratë që punojnë shumë

tags: Diabet, puna

Sipas një studimi të ri të publikuar në "BMJ Open Diabetes Research & Care", gratë që punojnë shumë orë çdo javë, janë më të rrezikuara për të zhvilluar diabet, ndryshe nga burrat.

"Gratë që kanë punuar të paktën 45 orë në javë, kanë shfaqur një rrezik dukshëm më të lartë (63%) për të zhvilluar diabet, krahasuar me gratë që kanë punuar 35-40 orë në javë. Përkundrazi, burrat që kanë punuar më shumë orë, kishin tendencë të kishin një rrezik lehtësisht më të ulët për të zhvilluar diabet, ndonëse kjo e dhënë nuk ishte shumë domethënëse statistikisht", shpjegon Mahée Gilbert-Ouimet (Qendra e Kërkimit FRQS, në Kebek), që ka udhëhequr grupin e punës.

Në studim janë përfshirë 7.065 punonjës kanadezë të ndjekur përgjatë 12 vjetëve. Kërkuesit kanë përkufizuar si një incident diabeti shtrimin në spital, ku do të jepej një diagnozë diabeti ose dy kërkesa për ndihmë mjekësore me një diagnozë diabeti, që janë verifikuar brenda dy vjetësh larg nga njëra-tjetra. Orët javore të punës janë ndarë në katër kategori: 15-34 orë, 25-40 orë, 41-44 orë dhe të paktën 45 orë. Gjatë ndjekjes, 12,2% e burrave dhe 7,5% e grave në studim kanë zhvilluar diabet, por vetëm kategoria e punës javore prej të paktën 45 orësh ka treguar një lidhje domethënëse me incidentin e diabetit.

Efekti i dëmshëm i orëve të gjata të punës, vëzhguar te gratë e këtij studimi, ka mbetur domethënës edhe pas përshtatjes sipas karakteristikave socio-demografike dhe socio-ekonomike, të tjera ekspozime të lidhura me punën dhe kushtet shëndetësore, mes të cilave; hipertensioni, artriti dhe simptomat e ankthit, por rezultati është zbehur paksa pas rregullimeve shtesë për duhanin, aktivitetin fizik në kohën e lirë dhe konsumimin e alkolit.
Kufizimet e analizave përfshinin faktin që orët e punës mateshin vetëm në një pikë gjatë ndjekjes 12-vjeçare dhe se nuk u bë asnjë dallim mes diabetit të tipit 1 dhe diabetit të tipit 2 gjatë vlerësimit të kartelave klinike. Sipas autorëve, studimet e ardhshme duhet të synojnë vëzhgimin më nga afër të specifikave që lidhen me orët e punës, zakonet e shëndetit, stilin e jetesës dhe përgjegjësitë familjare, që pasohen më tej nga rreziku për diabet, veçanërisht sa i përket dallimit mes dy gjinive.

 

BMJ Open Diabetes Research & Care 2018. doi: 10.1136/bmjdrc-2017-000496
https://drc.bmj.com/content/6/1/e000496


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>