dhj172018
Trajtimi i periodontitit përmirëson diabetin dhe komplikacionet e tij
Periodontiti është një sëmundje e shkaktuar nga disbioza e mikroflorës së gojës, që është e lidhur me një përgjigje inflamatore të shkaktuar nga akumulimi i baktereve në sipërfaqen e dhëmbit, jo vetëm e kufizuar në zgavrën e gojës, por edhe sistemike. Trajtimi agresiv i sëmundjes periodontale te pacientët me diabet të tipit 2, mund të ndihmojnë për reduktimin e glicemisë dhe inflamacionit kronik, kushte që mund të shtojnë rastet e çrregullimeve kardiovaskulare dhe renale.
Këto janë gjetjet e një studimi të nënshkruar nga hulumtuesit e Universitetit të Londrës dhe të publikuar në "The Lancet: Diabetes & Endocrinology", ku morën pjesë më shumë se 250 pacientë me diabet të kontrolluar dobët dhe periodontit aktiv. Pas 12 muajsh, në grupin që kishte ndjekur një trajtim agresiv për gingivit, është vërejtur jo vetëm një ulje prej 0.6% e hemoglobinës së glikuar në krahasim me kontrollet, por edhe ulje e inflamacionit kronik, që mund të zvogëlojë rrezikun e komplikimeve serioze që lidhen me diabetin, siç janë sëmundjet e zemrës, iktuset dhe sëmundjet e veshkave.
"Sëmundja periodontale, që është e lidhur ngushtë me diabetin, mund të shkaktojë rritje, si të vlerave glicemike, ashtu edhe të gjendjes së inflamacionit kronik të organizmit, kushte të cilat, në qoftë se vazhdojnë për periudha të gjata, mund të favorizojnë dëmtimin e veshkave, zemrës dhe enëve të gjakut", shpjegon Francesco D'Aiuto, bashkëautor dhe profesor i periodontologjisë në Institutin Dentar UCL Eastman, duke shtuar se ky është studimi i parë afatgjatë me përzgjedhje rastësore, që ka treguar një përfitim të konsiderueshëm në trajtimin e sëmundjes gingivale, për kontrollin e diabetit.
"Trajtimi i periodontitit është i barasvlershëm me përshkrimin e një bari të dytë antidiabetik, në drejtim të reduktimit Hb A1C", thonë autorët, të cilët po punojnë ngushtë me autoritetet e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) për të rritur ndërgjegjësimin e lidhjes midis sëmundjeve gingivale dhe diabetit midis profesionistëve të shëndetit, duke sugjeruar përfshirjen e vlerësimit të dhëmbëve dhe të gingivave si një praktikë standarde për njerëzit me diabet.
"Hapi i ardhshëm do të jetë planifikimi i një studimi më të gjerë kombëtar për të provuar përfitimin e mundshëm që mund të ketë trajtimi i sëmundjes gingivale te pacientët me rrezik për infarkt apo iktus", përfundon D'Aiuto.
Lancet Diab Endoc 2018. Doi: 10.1016/S2213-8587(18)30038-X
https://www.thelancet.com/journals/landia/article/PIIS2213-8587(18)30038-X/fulltext