mar292019
Zbulohet proteina-kyç e degjenerimit të ishujve të Langerhansit, në DMT2
Është identifikuar një proteinë-kyç për degjenerimin e ishujve të Langerhansit në diabetin e tipit 2 (DMT2). Zbulimin e ka bërë një kërkuese e re, 34-vjeçare, Francesca Sacco (Departamenti i Biologjisë, Universiteti i Romës "Tor Vergata"), e cila i ka publikuar rezultatet e studimit të saj në "Cell Metabolism".
Në veçanti, Sacco ka përshkruar mekanizmat molekularë që kontrollojnë prodhimin e insulinës në përgjigje të ndryshimeve të përqendrimit të glukozës në serum dhe ka identifikuar një proteinë, të quajtur GSK3, aktiviteti i së cilës është përgjegjës pikërisht për degjenerimin funksional të ishujve të Langerhansit. "Falë bashkëpunimit me grupin e Matthias Mann (Instituti Max-Planck i Biokimisë në Mynih) dhe përdorimit të teknologjisë së përparuar të Institutit në fushën e kërkimeve proteomike, kemi zbuluar se përqendrimet e larta të glukozës në gjak, aktivizojnë proteinën GSK3, aty ku ajo nuk duhet të aktivizohet dhe se kjo, nga ana tjetër, bllokon prodhimin e insulinës", shpjegon kërkuesja.
"Teknologjia që kemi përdorur për hetimin molekular quhet "phosphoproteomics" dhe na lejoi të përshkruanim jo vetëm proteinat e pranishme në pankreas, por edhe aktivitetin e tyre". Hulumtimet kanë treguar se me anë të inhibimit farmakologjik të proteinës GSK3, riparohej prodhimi i insulinës dhe funksionaliteti i ishujve Langerhans te minjtë diabetikë, duke i hapur rrugën zhvillimit të strategjive të reja terapeutike për të luftuar DMT2.
Francesca Sacco ka kaluar 5 vjet në laboratorin e Mann-it në Mynih. Në shtator 2017, me bursën "L'Oréal Italia for Women and Science", ajo u kthye në Itali, në Universitetin e Romës "Tor Vergata". Disa muaj më vonë u bë studiuese në Departamentin e Biologjisë, në sajë të programit për studiues të rinj Rita Levi Montalcini del Miur, i cili krijon mundësitë e riintegrimit në një universitet shtetëror italian të shkencëtarëve të rinj që kanë punuar jashtë, në një universitet apo qendër kërkimore. Sot, në sajë të një financimi, Sacco drejton një grup kërkimor në "Tor Vergata" për studimin e rezistencës së leucemisë akute mieloide ndaj kimioterapisë, duke përdorur teknologjinë proteomike.
Cell Metab, 2019 Mar 7. doi: 10.1016/j.cmet.2019.02.012. [Epub ahead of print
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30879985