Focus

sht232014

Myftar Barbullishi:Truri nuk "ikën", shkon e vjen

Ai, i veshur me një kostum gri që e tregonte akoma më të ri se mosha e tij tridhjetë e ca vjeçare, përkrah zonjës së tij amerikane, të veshur aq bukur dhe me shije sa të tërhiqte vëmendjen e të pranishmëve, ecte i ndrojtur në tapetin e kuq të Teatrit Dolby, në Hollywood Boulevard në Los Angeles, ku nga e famshmja Academy Awards do jepeshin Çmimet Emmy. Ai zarf i papritur që konfirmonte se ai ishte nominuar per çmimin Emmy falë kontributit në filmin e bujshëm shkencor "Cosmos: A Spacetime Odyssey", film ky i famshëm sidomos në mesin e adhuruesve të shkencës dhe astronomisë, ia kishte prishur gjumin. Ato 2 javë edhe qyteti i Los Angelos nuk flinte mirë. Kudo diskutohej se kush do ta merrte çmimin prestigjioz Emmy Award apo thjesht Emmy, njohës i ekselencës në filmat serialë televizivë, ekuivalent i Oscar (në filmat jo televiziv), i Grammy (në muzikë) dhe i Tony (në teatër).  Askush në sallë nuk e dinte se djaloshi gjysmë biond vinte nga Shqipëria dhe se asnjë shqiptar i lindur në Shqipëri nuk kishte shkelur kurrë më parë në tapetin e kuq të Teatrit më të famshëm në botën e artit, dhe aq më keq, askush nuk mund ta imagjinonte se asnjë media në vendin e tij nuk e kishte pasur në vëmendje nominimin e tij, pasi kishin qenë shumë të zënë me vjedhje bankash, ngacmime seksuale nga zyrtarë apo me informacione mbi jetën personale të artistëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Të dielave jemi akoma me fat, se informohemi edhe për fundjavën e VIP-ave të politikës. Fatmirësisht mediat e Kosovës, më të varfra me kësi lajmesh ato ditë, me emocion do të shpreheshin: "Lajm i bujshëm, Ergin Kuke, shqiptari i parë i nominuar për çmimin e madh në kinematografi, Emmy 2014". Sa trishtim! Siç duket, kishte të drejtë Bertolt Brecht. Poeti dhe dramaturgu gjerman, i cili na ka lënë një trashëgimi veprash të rëndësishme, do të mbahet mend edhe për një shprehje të veçantë, mishëruar në një nga veprat e tij më domethënëse, "Jeta e Galileos". Personazhi Andrea Sarti, nxënës i shkencëtarit, i cili në një moment të caktuar me pezmatim shprehet: "E pafat toka që nuk ka heronj"; Maestroja i vjetër me një qetësi olimpike do t'i përgjigjej: "I lumtur vendi që nuk ka nevojë për heronj". Pikërisht në një qasje të tillë e vë theksin prestigjiozja "Nature" (Nature 510,213-214, 12 June 2014), e cila në një artikull të këtyre ditëve me titull "Turning brain drain into brain circulation", e konsideron "ikjen" e trurit si një faktor të rëndësishëm jo vetëm për vendet pritëse, por edhe për vendet e origjinës. Shembulli më i mirë, sipas artikullshkruesit, janë vendet e Amerikës Latine, të cilat, megjithëse me pak shkencëtarë, më shumë pak fonde për kërkim dhe për më tepër pa shkolla të biologjisë dhe mjekësisë në nivelin e më të përparuarave në botë, kanë grupe kërkimi që konkurrojnë në të gjitha nivelet më të mirët në botë. Sekreti? "Ikja" e trurit.
 "Ikja" e trurit? Po, sepse shkencëtarët amerikano-jugorë në pozicionet prestigjioze në institutet amerikane janë një mbështetje e madhe për kërkuesit dhe kërkimet në vendet e tyre të origjinës. "T'u kërkosh atyre të kthehen, do të ishte gabim. Shkenca nuk ka kufi dhe 'ikja' e trurit duhet inkurajuar. Me mirë një që ikën e korr sukses, sesa një që rri e vegjeton në pritje të mundësive", citohet Lino Barañao, ministri i Shkencës dhe Teknologjisë në Argjentinë. Ajo që vendet e origjinës së tyre duhet të bëjnë në situatën aktuale, është inkurajimi i ikjes së tyre dhe, në momentin e duhur, në të ardhmen, të potencojnë qendrat e kërkimit për të nxitur kthimin e tyre. Që një bimë e mirë të lulëzojë ka nevojë për ekosistemin e saj. Nëse e bëjmë këtë, bilanci i atyre që lënë atdheun dhe atyre që kthehen, ndoshta një ditë do jetë pozitiv: "Turning brain drain into brain circulation", përfundon artikullshkruesi.
Më 24-28 korrik në San Francisko mora pjesë në kongresin botëror të transplantit dhe në Los Angelos takova djaloshin, i cili më tha se ishte tej mase i zënë, pasi ishte emëruar drejtor artistik në një kompani të madhe në Hollywood. - "Kompania është në rritje, më duhet personel, jam në kontakt edhe me disa të rinj nga Shqipëria dhe Kosova" - më tha. U ndjeva mirë. Djaloshi ka bërë mirë që ka ikur nga Shqipëria, ai mund ta ndihmojë atë më mirë duke qenë larg saj. Truri nuk "ikën", ai qarkullon, rrezaton vlera, emocione, mesazhe që këtë herë, falë djaloshit gjysmë biond, flasin shqip. Ime motër, edhe pse e ka larg, duhet të ndihet mirë për të birin, Ergin.

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>