tet142022
Sëmundja e diabetit po dëmton veshkat dhe zemrën te pacientët. Prof. dr. Myftar Barbullushi: Terapitë e reja parandalojnë dëmtimin e tyre
Për herë të parë mjekët endokrinologë, nefrologë dhe kardiologë dalin në konkluzione të qarta për të parandaluar komplikacionet e diabetit. Përveç uljes së sheqerit në gjak te këta pacientë duhet parandaluar dëmtimi, që u shkaktohet në veshka dhe në zemër. Gati gjysma e pacientëve që shkojnë në dializë kanë shkak diabetin dhe 30% e tyre shkojnë për shkak të problemeve në zemër. Numri i personave që vuajnë nga probleme të veshkave është rritur. Sipas mjekëve nefrologë situata po përkeqësohet pasi pamjaftueshmëria e veshkave i çon pacientët drejt procedurës së hemodializës.
"Situata me problemet e veshkave po përkeqësohet çdo ditë. Në Shqipëri dhe në Europë përllogaritet se 1 në 10 vetë vuan nga problemet e këtij organi të rëndësishëm. Në Amerikë, kjo shifër është gati 1 në 7 vetë të prekur. Përveçse ul cilësinë e jetës te pacientët, kjo ka një kosto të lartë pasi një numër i lartë i atyre me diabet vuajnë nga veshkat dhe gati 50% e njerëzve që vijnë në dializë janë edhe me diabet", shprehet shefi i Shërbimit të Nefrologjisë në QSUT, prof. dr. Myftar Barbullushi.
Sëmundja e diabetit, por edhe hipertensioni janë dy ndër shkaktarët që çojnë në shtimin e numrit të pacientëve që vuajnë nga probleme të veshkave. Mjekë kardiologë, nefrologë dhe endokrinologë kanë dalë në përfundimin se te një pacient me diabet duhet parandaluar dëmtimi i zemrës dhe i veshkave të cilën do të duhet ta bëjë mjeku i familjes.
"Në 20 vjet, te pacientët me diabet jemi fokusuar për të ulur sheqerin në gjak, por tanimë me terapitë e reja fokusi është shndërruar që përveç insulinës të kujdesemi edhe për të parandaluar dëmet që shkaktohen në zemër dhe në veshka", thekson prof. dr. Myftar Barbullushi.
Këto risi u përcollën në konferencën me temë "Nefropatia Diabetike", ku morën pjesë profesorët më në zë të mjekësisë shqiptare të tre shërbimeve kryesore si Endokrinologjia, Kardiologjia dhe Nefrologjia. I pranishëm në këtë konferencë të rëndësishme ishte edhe presidenti i Shoqatës Europiane të Nefrologjisë prof. Christoph Wanner.
Këto risi u përcollën ne Konferencën e Nefropatisë Diabetike ku ishte i pranishëm presidenti i Shoqatës e Europiane të Nefrologjisë dhe profesorë të njohur tre shërbimeve në QSUT.
Alma Demiraj