mar302018
Sëmundjet e veshkave. Kombet e Bashkuara i rendisin si sëmundje prioritare këtë vit
Numri i të prekurve nga sëmundjet e veshkave ka arritur shifra alarmante. Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, Dr. Myftar Barbullushi, tha se nga 10% e popullsisë së prekur nga probleme të veshkave, tanimë kjo shifër ka mbërritur në 15% të popullsisë. Madje, është ulur edhe mosha e personave që preken nga sëmundjet e veshkave nga 40 vjeç, që ishte më parë, deri te shumë të rinj. Tani, ka edhe persona të moshës 30-vjeçare, të cilët shfaqin sëmundje të veshkave.
Shifra të larta të personave të prekur nga sëmundjet e veshkave nuk janë konstatuar vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, ndaj sipas doktor Barbullushit, këtë vit, në Konferencën e Kombeve të Bashkuara që do të zhvillohet në muajin maj, pritet të trajtohen si sëmundje prioritare edhe sëmundjet e veshkave. Deri më tani, janë trajtuar si sëmundje me prioritet sëmundjet tumorale, ato kardiake dhe diabeti.
Për doktor Barbullushin, çdo pacient që paraqitet te kardiologu apo endokrinologu, duhet të kalojë edhe te mjeku i veshkave, pasi këto sëmundje lidhen me njëra-tjetrën. "Madje hipertensioni shpesh ka shkaktare gjëndrën mbiveshkore", tha Shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, doktor Myftar Barbullushi. Por, rritja e numrit të pacientëve që vuajnë nga veshkat, lidhet me mënyrën e jetesës, ushqimet e përpunuara dhe stresin.
Alma Demiraj