qer72023
Transplanti i veshkave. Prof. dr. Arben Gjata: Brenda vitit do të kryhet në shërbimin e nefrologjisë në QSUT
Së shpejti do të bëhet transplanti i veshkës në shërbimin e nefrologjisë në QSUT. Ndonëse ky projekt ka nisur para disa vitesh në bashkëpunim më një ekip mjekësh italianë, u arrit të kryhej vetëm një transplant, pasi ky shërbim në QSUT nuk ofronte kushtet e përshtatshme. Por tanimë vjen një lajm i mirë për pacientët me insuficiencë renale të theksuar pasi do të mund të kryejnë transplante në spitalin publik. Shefi i shërbimit të kirurgjisë, thotë se vendi ynë ka nënshkruar një marrëveshje me Italinë, e cila do të na suportojë në realizimin e transplanteve të organeve në sistemin publik.
"Bëhet fjalë për të nisur me transplantin e veshkës dhe besojmë se brenda vitit do të nisë transplanti në spitalet publike nga mjekët tanë, me mbështetjen e mjekëve italianë", theksoi prof. dr. Arben Gjata.
Laboratori i ri dhe rikonstruksioni i ambienteve në spitalet publike, sterilizimi i pajisjeve mjekësore do të bëjnë të mundur që të kryhen edhe ndërhyrje të këtyre përmasave që deri më tani janë kryer jashtë Shqipërisë apo në spitalet jopublike.
"Pas veshkave, objektiv është realizimi i transplanteve të mëlçisë dhe pankreasit, por kjo do të marrë kohë deri në përgatitjen jo vetëm të stafit, por edhe ndryshimeve ligjore dhe sensibilizimin e popullatës. Kërkohet përpilimi i ligjit të veçantë, futja e Shqipërisë në bankën e transplanteve europiane dhe bindja e popullatës që të dhurojë organet. Për shembull, në rastin e mëlçisë, ajo merret pas vdekjes, por me konsensusin paraprak të donatorit, që ka pranuar të dhurojë organet pas vdekjes".
Transplanti i veshkave deri më tani është mundësuar falë paketave spitalore në spitalet jopublike të financuara nga Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor.
Alma Demiraj