dhj12014
Lufta kundër HIV/AIDS, Harxhi: Shumë i ulët numri i testimeve
Dita Botërore e Luftës Kundër AIDS e gjen Shqipërinë me disa problematika. Të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se në vendin tonë numërohen gjithsej 774 raste me HIV/AIDS, ndër këto 75 janë raste të reja të raportuara gjatë vitit 2014, dhe 7 persona kanë humbur jetën, duke bërë që vdekjet nga SIDA në vendin tonë të shkojnë në 144.
Ekspertë të sëmundjeve infektive tregojnë se ndonëse gjatë 5 viteve të fundit është vënë re një tendencë për rritje të numrit të rasteve, këtë vit falë trajtimit mjekësor është bërë e mundur që të ulet vdekshmëria mes tyre. "Me standardet aktuale, asnjë person i infektuar nuk duhet të vdesi, përkundrazi duhet të jetojë një jetë të shëndetshme, sa më cilësore, por gjithmonë nën trajtim dhe nën kujdesje", thotë Prof.As. Arjan Harxhi, mjek infeksionist në QSUT. Sipas specialistit shqetësues mbetet numri i ulët i testimeve vullnetare për HIV. Ai bën thirrje që të mos anashkalohet më tej testimi, kryesisht nga gratë shtatzëna, pasi vetëm në harkun kohor të këtij viti janë raportuar 5 fëmijë të infektuar, 4 prej të cileve me anë të transmetimit vertikal.
"Numri i testimeve për HIV është shumë i ulët. Sot në Shqipëri nuk skrinohen gratë shtatzëna për të bërë të mundur identifikimin dhe parandalimin e virusit nga nëna tek fëmija. Pra janë 5 raste të reja dhe kjo duhet të jetë një shifër alarmante për Shqipërinë", tha Harxhi.
AIDS vazhdon të mbetet një çështje shqetësuese për shëndetin publik në mbarë botën. Organizata Botërore e Shëndetësisë raporton se vetëm vitin e shkuar rreth 35 milionë njerëz kanë jetuar me virusin HIV, ndërsa 1.5 milion kanë humbur jetën për shkak të sëmundjeve që lidhen me të.