qer232017
Migrena kronike, krizat mund të kontrollohen me toksinën botulinike
Te shumë persona migrena manifestohet në mënyrë kronike me një incidencë dyfish më të lartë te femrat se te meshkujt. Shpesh simptomat keqinterpretohen dhe neglizhohen dhe rastet nuk diagnostikohen nga mjekët, ndërsa pacientët më pas i drejtohen vetë-mjekimit. Një skenar jo i rrallë është ai i abuzimit me barnat kundër dhimbjeve. Kjo sjellje, sipas Francesco Pierelli, docent në Universitetin "La Sapienza" Romë dhe president i Sisc (Shoqatës italiane për studimin e cefaleas), rrezikon jo vetëm të krijojë fenomene të toksicitetit nga barnat, por paradoksalisht mund të gjenerojë episode migrene, që ndryshe nuk do të ishin verifikuar.
"Migrena - shpjegon Pierelli - është sëmundje paralizuese e cila pengon aktivitetet normale ditore dhe shoqërohet me kosto sociale dhe ekonomike shumë të mëdha. Për këtë duhet të diagnostikohet me shpejtësi dhe saktësi, që pacienti të fillojë një terapi për të kontrolluar krizat, të cilat kur shfaqen më shumë se 3-4 herë nuk mund të trajtohen më me barna simptomatike, por kanë nevojë për një qasje parandaluese".
"Në rastin e krizave të migrenës pacienti mund të përballet me dhimbje që mund të zgjasin deri në 15 orë, të ndara midis migrenës së mirëfilltë dhe asaj tensive. Është normale që personat të kërkojnë lehtësim nëpërmjet barnave. Është dhe lehtësisht e kuptueshme se si rreziku për të rënë në abuzim është i lartë sidomos në Europë, kryesisht duke përdorur triptane dhe AIJS. Në Shtetet e Bashkuara përdorin edhe opioide", thotë Paolo Martelletti docent i mjekësisë interne në Universitetin "La Sapienza" Romë.
Fenomeni duhet shmangur dhe sot është e mundur të bëhet edhe falë përhapjes së terapive të bazuara në administrimin nëpërmjet injektimit të toksinës botulinike. "Në repartin tonë vijnë shpesh pacientë që janë përballur me dështimin e terapive simptomatike. Bëhet fjalë për persona që duhen trajtuar me asistencë të specializuar dhe të personalizuar në momentin kur paraqesin kriza të vërteta nga mungesa e barnave, përveç krizave të migrenës. Me nisjen e protokollit të administrimit të toksinës, rezultatet janë shumë të mira. Toksina botulinike e tipit A (Onabotulinumtoxin A) është futur në praktikën klinike tashmë prej disa kohësh. Nuk janë konstatuar efekte anësore, me përjashtim të një irritimi të lehtë në vendin e injektimit. Terapia duhet kryer çdo 12 javë me injektime në ballë, tëmth dhe në mukozën posteriore të qafës", shprehet Cristina Tassorelli, docente e neurologjisë në Università degli Studi, në Pavia.
Këta specialistë dhe të tjerë u mblodhën në Romë në një takim me median për të diskutuar mbi temën: "Menaxhimi i migrenës kronike: trajtim paraprak për të reduktuar peshën e sëmundjes".