Focus

nën272017

Stërvitja e trurit me ushtrimet e duhura ul riskun për demencë

Stërvitja cerebrale është metoda e parë që jep rezultate të mira në reduktimin e riskut për demencë te të moshuarit, sipas rezultateve të një studimi të randomizuar e të kontrolluar, të publikuar në revistën Alzheimer & Dementia: Translational Research & Clinical Interventions. "Stërvitja e shpejtësisë së përpunimit cerebral ka sjellë një risk më të vogël për demencë prej 29%, krahasuar me grupin e kontrollit", shpjegon autorja kryesore Jerri Edwards nga University of South Florida. Studimi ka regjistruar 2.802 të rritur të moshuar të shëndetshëm në 6 qendra të Shteteve të Bashkuara dhe i ka ndjekur për 10 vite duke filluar nga një mosha mesatare 74 vjeç.
Pjesëmarrësit janë ndarë në mënyrë rastësore në një grup kontrolli ose në një nga tri degët e ndërhyrjes me ushtrime të ndryshme konjitive. Një grup ka punuar mbi strategjitë e kujtesës, një grup i dytë ka punuar mbi strategjitë e arsyetimit dhe një grup i tretë ka marrë një trajnim të personalizuar të kompjuterizuar për shpejtësinë e përpunimit, në 10 seksione fillestare në 6 javët e para të studimit.
Të gjithë pjesëmarrësit janë vlerësuar me matje konjitive dhe funksionale në fillim të studimit, pas 6 javëve të para dhe pas 1, 2, 3, 5 dhe 10 vitesh. Disa nëngrupe kanë realizuar katër seksione shtesë me ushtrime konjitive në muajt e 11 dhe 35 të studimit.
Kërkuesit nuk kanë hasur ndryshime domethënëse mes grupeve të ushtrimeve dhe grupit të kontrollit në riskun për demencë për grupet që ndoqën ushtrime bazuar në strategjitë e kujtesës dhe të arsyetimit, por grupi që u ushtrua mbi shpejtësinë e përpunimit cerebral ka treguar një reduktim të riskut mesatar për demencë me 29%. Ata që kishin kompletuar më shumë seksione ushtrimesh, kishin në veçanti një risk më të ulët. Pjesëmarrësit në grupin e shpejtësisë së përpunimit të informatizuar janë ushtruar mbi një detyrë shumë specifike, e ideuar për të përmirësuar shpejtësinë dhe saktësinë e kujdesit viziv, të zhvilluar nga Karlene Ball nga University of Alabama dhe nga Dan Roenker nga Western Kentucky University, detyrë e cila në të kaluarën ka dëshmuar efikasitet në më shumë se 18 studime klinike te të moshuarit, me vlerësime standarde të aftësive konjitive dhe aftësisë funksionale, ashtu si dhe në aktivitetet e botës reale.


Alzheimer & Dementia: Trans Res Clin Interv 2017. Doi: 10.1016/j.trci.2017.09.002 http://www.trci.alzdem.com/article/S2352-8737(17)30059-8/fulltext

 


 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>