gus132021
Diabetikët mund ta ulin gliceminë, pa rënë domosdoshmërisht në peshë
Një studim i koordinuar nga Makoto Fukuda, profesor i pediatrisë dhe ushqyerjes në Kolegjin e Mjekësisë Baylor në Houston, Teksas, sugjeron që përveç rënies në peshë dhe stërvitjes, mund të ketë mënyra të tjera për kontrollin e diabetit të tipit 2. "Në një zonë të vogël encefalike ekziston një mekanizëm i cili, pa ndryshuar peshën e trupit, rregullon ekuilibrin e glicemisë në organizëm. Kjo sugjeron që modifikimi i saj mund të ndihmojë në mbajtjen e niveleve të glicemisë brenda vlerave normale ose së paku, të pranueshme", thotë Fukuda, duke shpjeguar se për të arritur këtë rezultat është e rëndësishme të identifikohen shënjestra specifike molekulare në tru që mund të sulmohen nga barnat.
"Neuronet në një zonë të vogël cerebrale, të njohur si bërthama ventromediale e hipotalamusit (VMH) mendohet se janë ndërmjetësuese vendimtare të mekanizmit të rregullimit nervor të glukozës, i cili megjithatë mbetet pak i njohur", shkruajnë në JCI Insight, autorët që kanë identifikuar në bërthamën VMH një rrugë molekulare e cila ndërmjetëson ekuilibrin glicemik të të gjithë organizmit dhe që përfshin Rap1, një enzimë e njohur në stimulimin e ushqyerjes së tepërt. Duke punuar me një kavie me diabet dhe obezitet të shkaktuar nga dieta hiperlipidike, në të cilën ata aktivizuan ose eliminuan Rap1 në neuronet VMH me teknika gjenetike ose farmakologjike, Fukuda dhe kolegët zbuluan se aktivizimi i Rap1 në hipotalamus është një stimul hiperglicemik, ndërsa frenimi gjenetik i enzimës ka veprim hipoglicemik. Me fjalë të tjera, ndonëse nuk ka asnjë efekt në peshën e trupit pavarësisht nga gjinia, dieta dhe mosha, mungesa e Rap1 në neuronet VMH uli ndjeshëm si gliceminë, ashtu edhe insulinën, duke përmirësuar tolerancën periferike ndaj glukozës dhe insulinës. "Obezët janë shpesh edhe diabetikë sepse shtimi në peshë ndikon në glicemi", vazhdon Fukuda, duke përsëritur se duke moduluar aktivitetin e Rap1 në neuronet VMH, mund të rregullohet metabolizmi i glukozës, pa ndryshuar peshën e trupit. "Ka ende shumë për të bërë, por këto rezultate sugjerojnë që në të ardhmen, njerëzit obezë me diabet mund ta ulin gliceminë, pa qenë e domosdoshme të bien në peshë, duke vepruar në mekanizmin e rregullimit nervor të glukozës, ndërmjetësuar nga Rap1", përfundojnë studiuesit.
JCI Insight 2021. Doi: 10.1172/jci.insight.142545
http://doi.org/10.1172/jci.insight.142545