Diabetologji

pri222021

Zhvillimi i papritur i diabetit pas shërimit nga Covid-19. Shtohen sinjalizimet

Ndër të gjitha manifestimet dhe komplikacionet e Covid-19, po shfaqet një pyetje tjetër çorientuese: a shkakton virusi raste të diabetit? Ashtu si shumë mjekë në të gjithë botën, Mihail Zilbermint, endokrinolog dhe profesor i asociuar në Shkollën e Mjekësisë John Hopkins në Mariland, ka nisur të vërejë diçka të çuditshme gjatë pandemisë: gjithnjë e më shumë njerëz duket po zhvillonin papritmas diabet. "Ekipi im administron zakonisht 16-18 vetë me diabet në ditë, por numri ka shkuar në 30 në ditë".

Janë raportuar gjithashtu raste të tjera të pacientëve të cilët, sapo e kishin marrë veten nga Covid-19 i rëndë, kishin zhvilluar papritur diabet, me nevojën për monitorim ditor të glicemisë dhe fillimin e menjëhershëm të terapisë me metforminë, duke shkaktuar pa dyshim një shok të madh psikologjik për klientin. Duhet theksuar se, më parë, individi nuk kishte pasur probleme të hiperglicemisë. Aktualisht, askush nuk e di arsyen e këtij zhvillimi të papritur të diabetit post-Covid-19. Mjekët në të gjithë botën po flasin për raste të ngjashme të diabetit me fillim të papritur pas infeksionit Sars-CoV-2, duke zbuluar se lidhja është më e fortë midis pacientëve që janë shtruar në spital me virusin. "Ne shohim qartë njerëz pa diabet të mëparshëm, që e zhvillojnë këtë gjendje", thotë Remi Rabasa-Lhoret (Instituti i Kërkimeve Klinike Montreal). "Ka shumë mundësi që të jetë Covid-19 ai që po e shkakton sëmundjen".

Studimet sugjerojnë që deri në 14% të pacientëve me Covid-19 mund të zhvillojnë diabet me shfaqje të papritur. "Ne e kemi parë këtë gjë me gripin dhe infeksione të tjera, por shkalla e asaj që shohim me Covid-19 është më e madhe se ajo që jemi mësuar", thekson Rabasa-Lhoret. Njerëzit me diabet tashmë janë në rrezik më të madh për të përjetuar rezultate serioze nëse sëmuren me Covid-19 dhe tani virusi mund t'i vërë njerëzit në rrezik më të madh për zhvillim të diabetit (një lidhje kjo, që një artikull i "Nevv England Journal of Medicine" e përshkroi si "një marrëdhënie dydrejtimëshe").

Mjekët dhe studiuesit po hetojnë pse ndodh kjo dukuri, por ende nuk është identifikuar një arsye specifike. Një ndër teoritë e ndryshme më të përparuara është se ky mund të jetë efekt anësor i një steroidi që përdoret për të trajtuar Covid-19. Zilberminti tha se pacientët që përjetojnë komplikacione nga Covid-19, shpesh marrin deksametazon. "Është terapia jonë standarde për ata me nivele të ulëta të oksigjenit dhe efekti anësor i këtij medikamenti është ngritja e niveleve të sheqerit, ose diabeti", tha ai. "Kështu pra, ekziston mundësia që barnat e përdorura për të trajtuar Covidin mund të rritin edhe rrezikun për zhvillim të diabetit".
Ka edhe shenja që tregojnë se vetë koronavirusi i ri mund të ndikojë në trup në mënyra të ndryshme që mund të çojnë në zhvillimin e diabetit. "Ka disa indikacione se Covid-19 mund të hyjë direkt në qelizat beta dhe t'i dëmtojë ato", tha Rabasa-Lhoret. Zilberminti shtoi se virusi mund të jetë në gjendje të ndryshojë mënyrën se si qelizat e metabolizojnë glukozën e vet. Diabeti akut u raportua gjithashtu më shpesh mes pacientëve me SARS dhjetë vjet më parë, tha ai, "sesa tek ata pa pneumoni nga SARS-i, një fakt që unë mendoj se është e rëndësishme të përmendet". Një hipotezë tjetër është që mbase infeksioni bën që njerëzit në rrezik për t'u prekur nga diabeti, të ndihmohen duke e diagnostikuar herët atë.
"Ekziston mundësia që një pacient të jetojë me para-diabet për shumë vite dhe të mos e dijë këtë", tha Zilberminti. "Kur ai ka një infeksion nga Covid-19, infeksioni e shtyn atë drejt zhvillimit të diabetit". Disa mjekë pyesin veten nëse kjo mund të jetë një formë krejt e re e diabetit. Në diabetin e tipit 1, sistemet imunitare të pacientëve shkatërrojnë qelizat beta që prodhojnë insulinë. Sidoqoftë, pacientët Covid-19 që zhvillojnë diabet mund të shfaqin gjithashtu rezistencë ndaj insulinës së gjetur në diabetin e tipit 2. Disa mjekë besojnë se diabeti i shfaqur papritur pas një infeksioni Covid-19 mund të jetë një gjendje e re, e cila ka aspekte si të diabetit të tipit 1, ashtu edhe të atij të tipit 2.

"Pyetja kryesore është: a do të jetë një gjendje e përkohshme apo e përhershme?", thotë Rabasa-Lhoret. "Dhe, në terma afatshkurtër, ne nuk e dimë." Këto janë pyetjet që ndjekin si pacientët që janë bërë diabetikë pas Covid-19, ashtu edhe mjekët që i trajtojnë ata. Por, po punohet për të kuptuar se çfarë po ndodh dhe si të trajtohen më mirë pacientët. "Disa specialistë të endokrinologjisë dhe ekspertë të diabetit në të gjithë botën po e shqyrtojnë këtë aspekt", tha Zilberminti. "Për shembull, kolegët e mi në King's College London dhe Britani kanë krijuar tashmë një bazë të dhënash të qëndrueshme ku të gjithë studiuesit dhe klinicistët mund të paraqesin informacionin e pacientëve të tyre në një regjistër global. Kjo bazë e re të dhënash të përgjithshme do të përpiqet të mbledhë të gjitha rastet në një përpjekje për të kuptuar nëse infeksioni nga coronavirusi e ka me të vërtetë këtë efekt tjetër anësor negativ. Jam i sigurt që në muajt në vijim do të shohim studime të tjera kërkimore që dalin nga ky regjistër", përfundoi Zilberminti.


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>