Focus

dhj192017

Ndryshimet klimatike. Mungesa e masave do të marrë jetë njerëzish

Ndryshimet klimatike kanë filluar të kenë ndikimet e tyre të dukshme mbi shëndetin. Këtë e thotë raporti i "The Lancet Countdown on Health and Climate Change", grupi bashkëpunues i institucioneve akademike dhe organizatave ndër qeverisëse, i ngarkuar për të ndjekur përparimin kompleks të 40 treguesve të ndryshimeve klimatike.
"Ndryshimet klimatike mund të shihen sot si një problem shëndetësor për miliona njerëz në të gjithë botën. Jemi ende në kohë për ta shndërruar emergjencën mjekësore me të cilën po përballemi aktualisht, në përparimin më kuptimplotë të shëndetit publik të këtij shekulli. Ndërsa ecim në drejtimin e duhur, shpresojmë që qeveritë, nga ana e tyre, të marrin masa për t'u përballur me shkaqet dhe ndikimet e ndryshimeve klimaterike. Kostoja e mungesës së veprimeve në këtë aspekt, do të pasqyrohet në një shkallë më të gjerë në humbje jetësh, që do të ishin të pashmangshme", i shpjegon shtypit Anthony Costello, i OBSH-së dhe bashkëpresident i "The Lancet Countdown".
Mendohet se 125 milionë të rritur mbi 65 vjeç janë ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit, që kanë ndikime të mundshme mbi shëndetin dhe që shkojnë nga stresi prej nxehtësisë, te goditja nga nxehtësia, nga riaktivizimi i pamjaftueshmërisë kardiake, në shtimin e rrezikut për dëmtime renale prej dehidratimit. Shtimi i temperaturave ka sjellë edhe një reduktim 5.3 % të prodhimit në zonat rurale, duke ndikuar në mjetet e jetesës së individëve, familjeve dhe komunitetit. Humbjet ekonomike, pasojë e ngjarjeve ekstreme meteorologjike të lidhura me klimën, kanë qenë rreth 129 miliardë dollarë amerikanë, në vitin 2016.
Situata shëndetësore është në përkeqësim edhe për shkak të rritjes së normës së transmetimit të disa sëmundjeve infektive të shkaktuara nga mushkonjat, siç janë ethet tropikale, transmetimi i të cilave ka patur një rritje prej 9.4% nga viti 1950. Ndryshimi klimatik ka nisur të ketë një ndikim të konsiderueshëm mbi prodhimin e kulturave, pasi rritja e temperaturave prej 1% grade celsius është e lidhur me një ulje prej 6% të prodhimit botëror të grurit dhe 10% të orizit, duke shkaktuar kështu shtim të kequshqyerjes, që është një tjetër problem shëndetësor.
Për çdo vit, gjatë periudhës 2007-2016 kanë ndodhur rreth 306 fatkeqësi të lidhura me klimën dhe shumë vende kanë nisur të përpilojnë plane për të pakësuar efektin e ndryshimit klimatik. Në vitin 2016, 449 qytete në të gjithë botën kanë bërë një vlerësim të rrezikut të pritshëm, por pjesa më e madhe e këtyre janë vende me të ardhura të larta. Në të njëjtën mënyrë, është vënë re një rënie e lehtë e përdorimit të automjeteve private në Shtetet e Bashkuara dhe në Australi, por ky ndryshim pozitiv nuk është vënë re në ekonomitë emergjente. Ndërsa transporti vazhdon të mbizotërohet nga benzina dhe nafta, po fitojnë terren karburantet jo konvencionale si biokarburantet dhe gazi natyror, ashtu si edhe makinat elektrike, veçanërisht në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, ndonëse shifrat relative të përdorimit të tyre, mbeten ende modeste. Në vitin 2015, është prodhuar edhe më shumë energji nga burime të rinovueshme, por ekspozimi botëror ndaj ndotjes së ajrit është rritur me 11.2% nga viti 1990 dhe i ka kapërcyer nivelet e rekomanduara, në rreth 71% të 2.971 qyteteve të kontrolluara nga OBSH-ja. Si përfundim, raporti vë në dukje se një numër i madh sektorësh janë në lëvizje, por kujton se janë të nevojshme në mënyrë urgjente marrja e masave në këtë drejtim.

The Lancet 2017. Doi:10.1016/S0140-6736(17)32464-9
https://dx.doi.org/10.1016/S0140-6736(17) 32464-9


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>