sht22024
Ndryshimet klimatike dhe rritja e vdekshmërisë. Në Evropë, sfida të paprecedente
Nëse politikat klimatike nuk arrijnë ta kufizojnë rritjen e temperaturave botërore me 3°C, vdekshmëria për shkak të ndryshimeve klimatike mund të shtohet. Pa masa të mëtejshme kundrejt frenimit të ngrohjes globale, tashmë mund të verifikohen 55.000 të vdekur më shumë çdo vit, vetëm për shkak të temperaturave. Kjo do të thotë se ka një rritje prej 13.5% në vdekjet e lidhura me temperaturën. Këto rezultate zbulojnë edhe pabarazitë në vdekshmëritë e lidhura me temperaturën në të gjithë Evropën: aktualisht, vdekjet për shkak të të ftohtit vërehen 2.5 herë më shpesh në lindje sesa në perëndim, ndërsa vdekjet për shkak të të nxehtit, janë gati gjashtë herë më të shpeshta në jug se në veri.
Megjithatë, mbetet për t'u theksuar që numri i vdekjeve për shkak të të ftohtit e tejkalon atë të atyre të shkaktuara nga i nxehti: për momentin raporti është afro 8.3:1. Gjithsesi, me ngrohjen globale, të dhënat tregojnë se ky hendek do të zvogëlohet, duke e kthyer këtë raport në 2.6:1, me rritjen e temperaturës me 4°C.
Studimi
Në studimin e kryer nga shkencëtarët e JRC (Joint Research Centre) dhe të publikuar në The Lancet, analizohet vdekshmëria e tepërt aktuale dhe e ardhshme e shkaktuar nga ndryshimi i temperaturës në 1368 rajone evropiane të 30 vendeve: 27 shtetet anëtare të BE-së, Norvegji, Zvicër dhe Mbretëri e Bashkuar. Faktorët kryesorë që i nxisin këto ndryshime janë dy: ndryshimet klimatike dhe ato demografike. Sipas studimit, ngarkesa totale aktuale e vdekshmërisë nga temperaturat jashtëzakonisht të larta ose të ulëta (për periudhën e referimit 1991-2020) ka arritur shifrën e 407.000 vdekjeve në vit në të gjithë Evropën, nga të cilat afro 363.500 ishin si pasojë e të ftohtit dhe 43.700 për shkak të të nxehtit të tepërt.
Në rastin e një skenari të ngrohjes me 3°C, parashikimet tregojnë se vdekjet për shkak të të nxehtit mund të trefishohen në krahasim me shifrat aktuale. Megjithëse vdekjet për shkak të të nxehtit do të shtoheshin në të gjitha rajonet, shifrat më të larta do të konstatoheshin në rajonet e Evropës së jugut. Me këtë ngrohje, efektet e kombinuara të ndryshimeve klimatike dhe demografike mund të sjellin 14.9 vdekje shtesë për çdo 100.000 vetë në vit në Evropë (nga 98.7 për periudhën 1991-2020 në 113.6 në vitin 2100). Gjithsesi, ndikimi ndryshon dukshëm në rajone të ndryshme. Për shembull, sipas studimit, duke marrë gjithmonë në konsideratë rritjen me 3°C, numri i vdekjeve për shkak të të nxehtit në Greqi do të rritej çdo vit, nga 1.730 që është sot në 4.767, në Francë nga 3.061 në 13.564, në Itali nga 10.433 në 28.285 dhe në Spanjë nga 4.414 në 20.194.
Zonat më të rrezikuara
Vendet që do të kenë shtim afatshkurtër të rrezikut për vdekshmëri nga i nxehti, janë vendet e Evropës qendrore dhe jugore dhe ato në të cilat plakja e popullsisë është më e theksuar. Brenda vitit 2050, epiqendrat e nxehta evropiane do të jenë të përqendruara në jug, sidomos në rajonet e Spanjës, Italisë dhe Greqisë, por do të prekin edhe një pjesë të Francës.
Së fundi, në rajonet e Evropës lindore do të vërehet një rritje e intensifikuar e temperaturave, por rreziku për vdekshmëri nga i nxehti do të zbutet nga përmirësimet e përgjithshme të gjendjeve shëndetësore.