dhj282017
Demenca. Një instrument i ri për të gjurmuar prirjen për zhvillim të kësaj sëmundjeje
Përdorimi i grafikëve me kurba përqindjeje, të ngjashëm me grafikët e rritjes pediatrike, për të paraqitur prirjen në kohë të nivelit konjitiv, do të ndihmonte në përcaktimin nëse te një pacient është zhvilluar demenca. Ky është sugjerimi i studimit të publikuar në "Canadian Medical Association Journal".
"Ekzaminimi i Statusit Mini Mental vazhdon të përdoret si metodë për shqyrtimin e përkeqësimit konjitiv te të moshuarit, por nuk është e qartë se si duhen interpretuar ndryshimet e rezultateve në kohë, për të bërë dallimin e rënies konjitive të lidhur me moshën, nga një proces degjenerativ i parakohshëm. Ne kemi synuar të gjenerojmë grafikët që tregonin prirjen konjitive që duhet përdorur në praktikën klinike, në mënyrë që të vlerësohet trendi i rënies konjitive të lidhur me moshën", konfirmon Patrick Bernier, i Shërbimeve të Specializuara Gjeriartrike (CLSC) në Kanada, autor kryesor i studimit. Kërkuesit kanë shqyrtuar një studim kohorte kanadez të më shumë se 6000 të rriturve të shëndetshëm me moshë 65 ose më shumë vjeç dhe të 1200 të rriturve me demencë, për të ndërtuar instrumentin në fjalë, të quajtur QuoCo.
Modeli i tyre ka marrë në konsideratë moshën e pacientit, vitet e arsimimit dhe rezultatet e marra në Ekzaminimin e Statusit Mini Mental (MMSE) bazë dhe pastaj, pas pesë dhe dhjetë vjetësh. Në bazë të grafikëve, është arritur identifikimi i pacientëve me demencë, me një ndjeshmëri prej 80%, një specificitet prej 87 % dhe një vlerë parashikuese negative prej 99%, si dhe ka patur një reagim të mirë përballë një pike pragu fikse të MMSE-së për demencën. Autorët thonë se ky instrument ka mundësinë të ofrojë një vizion të plotë kritik të situatës dhe se, një rënie e performancave mbi grafik, tregon se duhen bërë vlerësime të tjera klinike.
"Përfitimet që vijnë nga grafikë konjitivë të këtij lloji, do të vinin në bazë të hamendësimit se pacientët në rrezik i nënshtrohen shqyrtimit sistematikisht në kohë dhe që rezultatet nga testi konjitiv i komunikohen mjekut kurues ose rigjurmohen në vazhdimësi. Në të vërtetë, ne jemi ende larg këtij realiteti", shkruan në një editorial komentues Andrew Costa, Universiteti McMaster i Hamiltonit, Canada.
Cmaj 2017. Doi: 10.1503/cmaj.160792 http://www.cmaj.ca/content/189/48/E1472 CMAJ 2017. Doi: 10.1503/cmaj.171295 http://www.cmaj.ca/content/189/48/E1470