mar92018
Udhëzime të reja mbi hemorroidet, një problem i përhapur dhe i vështirë për t'u menaxhuar
Shoqata Amerikane e Operacioneve Rektale dhe të Kolonit (ASCRS) ka publikuar udhëzimet e përditësuara në lidhje me menaxhimin e hemorroideve. Çdo vit, thuhet në dokument, më shumë se 2.2 milionë pacientë në SHBA iu nënshtrohen ekzaminimeve për simptoma të lidhura me këto probleme. "Për pasojë, është e rëndësishme të identifikohen hemorroidet simptomatike që qëndrojnë në bazë të simptomës anorektale dhe të bëhet e mundur një vlerësim i qartë mbi menaxhimin e këtij procesi patologjik", thotë Bradley Davisi, kryetar i komisionit që ka bërë të mundur përpilimin e këtij dokumenti.
Udhëzimet rekomandojnë vlerësimin e hemorroideve në bazë të një historiku specifik të sëmundjes, që thekson gradën dhe kohëzgjatjen e simptomave, si dhe identifikon faktorët e rrezikut. Autorët sqarojnë se cilat janë shenjat që duhen kërkuar për të përcaktuar hemorroidet e brendshme, ose gjakderdhjen pa dhimbje me lëvizjet intestinale dhe zgjatjet e jashtme, duke nënvizuar se pacientët duhet të vlerësohen edhe për mospërmbajtjen fekale. Gjithashtu, duhet vënë në dukje nevoja e një vlerësimi të plotë endoskopik të kolonit për pacientët që paraqesin hemorroide simptomatike dhe gjakderdhje rektale.
Dokumenti analizon hollësisht menaxhimin e hemorroideve, që mund të përfshijë procedura mjekësore ose ndërhyrje kirurgjike. Sipas sa u tha më sipër, pjesa më e madhe e pacientëve me hemorroide të gradës së parë e të dytë dhe pacientët e përzgjedhur me sëmundje të gradës së tretë, që nuk përmirësohen nga trajtimi mjekësor, mund të trajtohen me efikasitet me procedura ambulatore, të tilla si: fashimi, skleroterapia dhe koagulimi me rreze infra të kuqe, ndonëse ky trajtim nganjëherë është më i ngadaltë dhe jo aq përcaktues sa ai kirurgjik.
Opsionet kirurgjike të përshkruara në rekomandime përfshijnë hemorroidektominë, hemorroidopeksinë dhe hemorroidektominë Doppler. Hemorroidektomia ka rezultuar trajtimi më efikas për pacientët me hemorroide të gradës së tretë, edhe pse është e lidhur me nivele më të mëdha të dhimbjes dhe komplikacioneve. Kjo terapi rekomandohet veçanërisht për trajtimin e pacientëve me prolaps, me hemorroide të jashtme ose me një kombinim të hemorroideve të brendshme dhe atyre të jashtme.
Dis Colon Rectum. 2018. doi: 10.1097/DCR.0000000000001030
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29420423