pri272018
Ja se si, terapia anti TFN, pritet të ndihmojë kundër parkinsonit
Një studim i publikuar në "JAMA Neurology" ka dalë në përfundimin se pacientët me sëmundje inflamatore intestinale (IBD) janë më të predispozuar për t'u prekur nga sëmundja e parkinsonit (PD) dhe se terapia me barna antifaktorë të nekrozës tumorale (anti TNF) ka qenë e lidhur me një përhapje të reduktuar të parkinsonit në këtë popullsi.
"Pavarësisht lidhjeve të konsoliduara gjenetike dhe fiziopatologjike mes sëmundjes inflamatore intestinale dhe sëmundjes së parkinsonit, të dhënat klinike në mbështetje të kësaj lidhjeje, mbeten të dobëta", shpjegon Inga Peter (Shkolla e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai), autore kryesore e studimit. "Gjithashtu, ndonëse inflamacioni sistemik është konsideruar potencialisht një mekanizëm biologjik i ndarë mes dy sëmundjeve, roli i reduktimit të një inflamacioni të tillë nëpërmjet terapisë anti TNF në rrezikun nga parkinsoni, është në pjesën më të madhe, i panjohur".
Kërkuesit kanë analizuar informacionet nga baza e të dhënave Truven Health MarketScan dhe nga Medicare Supplemental dhe kanë përzgjedhur individë të diagnostifikuar me IBD, që kishin të paktën gjashtë muaj që ndiqeshin dhe që nuk ishin diagnostikuar me PD. Në studim është marrë një numër i përgjithshëm prej 144.018 individësh me IBD të përshtatur për moshë, gjini dhe vit të diagnostikimit në 720.090 kontrolle të shëndetshme.
Mosha mesatare e personave me IBD ishte 51 vjeç dhe 41% e tyre ishin burra. Mes këtyre, 1.796 vetë janë diagnostikuar me sëmundjen e parkinsonit dhe kanë marrë të paktën një herë përshkrim recete mjekësore për një diagnozë të tillë. Analiza ka treguar se përhapja e parkinsonit mes pacientëve me IBD ishte 28% më e lartë se ajo mes kontrolleve përkatëse dhe se vihej re një reduktim prej 78% në normën e rasteve me PD mes pacientëve që i ishin nënshtruar terapisë anti TNF, krahasuar me ata që nuk e kishin bërë këtë.
Këto rezultate mbështesin në këtë mënyrë një rol të inflamacionit sistemik në patogjenezën e të dyja sëmundjeve, por janë të nevojshme studime të tjera për të përcaktuar nëse trajtimi anti TNF i administruar te subjektet në rrezik të lartë, mund të ulë mundësinë për zhvillimin e sëmundjes së parkinsonit.
"Kjo analizë e madhe të dhënash jep prova entuziaste në mbështetje të konceptit të ripropozimit virtual të barnave të vjetra për avantazhe të reja", shkruajnë në një editorial shoqërues Abby Olsen, Trond Riise e Clemens Scherzer, nga Spitali i Grave i Bostonit.
JAMA Neurol 2018. doi:10.1001/jamaneurol.2018.0605
http://jamanetwork.com/journals/jamaneurology/fullarticle/10.1001/jamaneurol.2018.0605
JAMA Neurol 2018. doi: 10.1001/jamaneurol.2018.0345
https://dx.doi.org/10.1001/jamaneurol.2018.0345