shk142019
Aplikacionet për shëndetin mendor, shpesh transmetojnë mesazhe mashtruese
Sipas përfundimeve të dala nga një studim i koordinuar nga Quinn Grundy (Universiteti i Sidnejit) dhe të publikuara në "Annals of Family Medicine", aplikacionet për celularët që ofrojnë këshilla se si të menaxhojmë shëndetin tonë mendor, jo vetëm që mund të na shtyjnë të quajmë probleme mjekësore ndryshimet normale të humorit, por mund edhe të inkurajojnë mbidiagnostikimin e disa sëmundjeve.
"Aplikacionet e shëndetit mendor, përveçse përmirësojnë mirëqenien psikologjike, mund edhe t'i ndihmojnë personat me gjendje ankthi dhe depresioni, por mjekët duhet të balancojnë aty ku duhet mesazhet e mundshme mashtruese, duke nënvizuar që vetëndihmesa është thjesht një aspekt i kujdesit për shëndetin mendor", shkruajnë autorët, duke shpjeguar që studimi ka lindur nga observimi, sepse pavarësisht popullaritetit në rritje të këtyre aplikacioneve, provat shkencore të efikasitetit janë kufizuar në një metanalizë të fundit nga e cila dalin përfitimet në menaxhimin e depresionit. Për të thelluar argumentin, kërkuesit kanë kryer një analizë cilësore të publicitetit që u është bërë 61 aplikacioneve më popullore për menaxhimin e shëndetit mendor, nga të cilat 59%, janë falas.
"Tridhjetë e pesë aplikacione deklarojnë se reduktojnë ankthin, panikun dhe stresin, ndërsa 16 të tjera pretendojnë se janë të dobishme për ata që kanë çrregullime humori. 11 aplikacionet e mbetura janë fokusuar te mirëqenia psikike ose aspektet e tjera të shëndetit mendor, si menaxhimi i zemërimit ose i çrregullimeve ushqimore", shkruajnë autorët.
Përgjithësisht, kërkuesit përfundojnë se aplikacionet transmetojnë dy mesazhe mbizotëruese:
1) brishtësia mendore është e gjithëpranishme;
2) shëndeti mendor personal është e mundur të menaxhohet me lehtësi me aplikacione.
"Përveç ndonjë aplikacioni të përcaktuar për mjekët dhe psikologët, pothuajse të gjitha aplikacionet e disponueshme në rrjet i drejtohen publikut të gjerë dhe në shumicën e rasteve, zhvillimi i tyre nuk përfshin as mjekët, as pacientët. Atëherë mund të ndodhë që përdoruesit të marrin informacione të gabuara", shpjegojnë kërkuesit. Dhe, Grundy, përfundon: "Në çdo rast, aplikacionet janë më efikase kur individët me probleme të shëndetit mendor ndihmohen nga mjeku i familjes ose nga një psikoterapist."
Ann Fam Med. 2018. doi: 10.1370/afm.2260
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29987082