dhj192022
Pas pandemisë Covid-19 troket pandemia e shëndetit mendor te të rinjtë. Moshat 14-18 vjeç me simptoma ankthi
Të rinjtë e moshave 14-18 vjeç po manifestojnë probleme të shëndetit mendor që nga simptomat më të lehta siç është ankthi deri në simptoma depresive kur ato lihen pa trajtuar. Pas pandemisë Covid-19 po troket pandemia e shëndetit mendor te të rinjtë thonë ekspertët e shëndetit. Një studim i kryer te 1100 nxënës të moshave 14-18 vjeç, tregon se 1 e katërta e tyre kanë shfaqur probleme të shëndetit mendor që nis me ankth deri dhe simptoma të depresionit.
"U përdorën dy pyetësorë, të cilët ishin pyetësorë të standardizuar në vendet e botës dhe të përshtatur për këtë grupmoshë, për simptomatikën ankthioze u përdor pyetësori Beck Anxiety Inventary, (BAI) dhe për simptomatikën depresive është përdorur pyetësori i Manualit Diagnostik DSM-5 i marrë nga shoqata e psikiatërve amerikane. Nga të dhënat rezultoi se 26% e të rinjve kishin simptoma ankthoize, nga ku 9% e tyre kishin simptoma që konsiderohen të rënda, ndërkohë nga ana tjetër për sa i përket simptomatikës depresive ishin 27% e të rinjve të cilët kishin simptoma depresive, nga të cilët 6% kishin simptoma të rënda. Simptomat ishin më të shpeshta te femrat dhe kjo nuk është se është një gjetje surprizë, duke qenë se kudo në literaturë flitet se simptomatika është më e shprehur te femrat", shprehet Elona Dashi, psikiatre për trajtimin e adoleshentëve.
Adoleshenca është grupmosha ku nisin simptomat e shëndetit mendor, por nëse ato lihen pa trajtuar nga mjekët specialistë, kjo situatë prodhon pasoja të parikuperueshme në të ardhmen. Por shërbimi i psikiatrisë për adoleshentët funksionon vetëm në Tiranë.
"Të rinjtë kanë nevojë të marrin shërbimin e duhur në të gjitha hallkat dhe është e rëndësishme të shkojnë deri te psikiatri i adoleshentëve, por për këtë është e rëndësishme që ky psikiatër të jetë pranë zonave të banimit. Duke qenë se sot për sot shërbimi i psikiatrisë për fëmijët dhe adoleshentët është i përqendruar vetëm në Tiranë, në rrethe është shumë e vështirë për t'u aksesuar ky shërbim, ndaj është shumë e rëndësishme dhe nëse ne ngremë alarmin dhe themi që kjo simptomatikë është mjaft e shprehur te të rinjtë, është po aq e rëndësishme që këta të rinj të kenë ku të adresohen", shprehet psikiatrja Elona Dashi.
Problemet e shëndetit mendor u evdientuan gjatë një studimi të kryer me nxënësit e 12 shkollave të Elbasanit me iniciativë të Lëvizjes së Gazetarëve të Shëndetit, mbështetur nga Lëviz Albania.
Alma Demiraj