kor212023
Të rinjtë që i mbijetojnë kancerit mund të vuajnë nga çrregullimet psikologjike gjatë gjithë jetës
Fëmijët, adoleshentët dhe të rinjtë me kancer (CYAC) mund të përjetojnë një barrë psikologjike edhe pasi kanë kaluar vite nga diagnostikimi, me një rrezik dukshëm më të lartë për depresion, ankth dhe çrregullime psikotike, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre pa kancer, sipas një artikulli të botuar në "JAMA Pediatrics".
"Dihet se diagnoza e kancerit dhe trajtimi i mëvonshëm mund të jenë traumatike në të gjitha moshat, veçanërisht për fëmijët. Dhe, të mbijetuarit e kancerit të fëmijërisë mund të jenë në rrezik të shtuar jo vetëm për komplikime fizike që lidhen me kancerin dhe trajtimet e tij, por edhe për çrregullime psikologjike. Sidoqoftë, asnjë studim nuk ka analizuar deri më tani rrezikun dhe ashpërsinë e çrregullimeve dhe simptomave psikologjike gjatë rrjedhës së jetës së të mbijetuarve, gjë që është një hap kritik për të lehtësuar ndërhyrjet e përshtatshme psikologjike në kohën e duhur", shpjegon bashkautori Cyrus Su Hui Ho nga Spitali Universitar Kombëtar i Singaporit, i cili së bashku me kolegët kryen një rishikim dhe një metaanalizë të 52 studimeve të projektuara për të vlerësuar rrezikun dhe/ose ashpërsinë e simptomave të tilla si depresioni, ankthi, çrregullimet psikotike dhe vdekshmërinë nga vetëvrasjet midis individëve me CYAC dhe atyre të grupit të kontrollit pa kancer.
Dhe, rezultatet e arritura flasin vetë: rreziku idepresionit të rëndë ose diagnoza e çrregullimit depresiv rezultoi të ishte 57% më i madh në grupin CYAC sesa në grupin e kontrollit, pavarësisht nga mosha e individëve në momentin e diagnostikimit. Rreziku i zhvillimit të ankthit të rëndë ose i një çrregullimi të ankthit u rrit gjithashtu me 29% në grupin CYAC krahasuar me atë të kontrollit.
"Ne kemi vënë re se ashpërsia mesatare e depresionit u rrit në grupin e CYAC që ishin në trajtim dhe te të mbijetuarit afatgjatë, ndërsa ashpërsia mesatare e ankthit u rrit vetëm te subjektet në trajtim", shkruajnë studiuesit, duke vënë në dukje se pacientët e diagnostikuar me kancer gjithashtu kishin një rrezik 56% më të lartë për çrregullime psikotike, duke përfshirë skizofreninë, ndërsa nuk u vu re asnjë rritje domethënëse në rrezikun e vetëvrasjes.
"Rezultatet e këtij studimi i japin fund debatit për rreziqet e shëndetit mendor te të rinjtë që i mbijetojnë kancerit, duke vënë në dukje faktin se këta pacientë kanë më shumë mundësi të vuajnë nga depresioni, ankthi dhe çrregullimet psikotike. Prandaj, tani e tutje, ne mund t'ia kushtojmë energjitë tona zhvillimit të strategjive të mbikqyrjes aktive dhe pasive për nëngrupet vulnerabël të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve të mbijetuar nga kanceri", shkruan në një editorial të lidhur Abby Rosenberg nga Instituti i Kancerit Dana-Farber në Boston.
JAMA Pediatrics 2023. Doi: 10.1001/jamapediatrics.2023.216
http://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2023.2168
JAMA Pediatrics 2023. Doi: 10.1001/jamapediatrics.2023.2162
http://doi.org/10.1001/jamapediatrics.2023.2162