Gjinekologji

tet272021

Efekti i pandemisë: më shumë ankth dhe depresion te gratë në menopauzë

Rezultatet e një studimi italian tregojnë se, sipas mjekëve me përvojë në menaxhimin e simptomave të menopauzës, gjatë pandemisë COVID-19, ka pasur një shtim të prevalencës së simptomave të ankthit dhe depresionit, që u janë shtuar afsheve të nxehta. "Ky ndryshim në panoramën e përbërë të simptomave të menopauzës ka paraqitur sfida të reja terapeutike." Konkretisht, Angelo Cagnacci (Universiteti i Gjenovës) dhe kolegët shpjegojnë se në këtë pandemi të COVID-19, jeta jonë e përditshme ka ndryshuar ndjeshëm. "Kontaktet sociale dhe familjare janë tkurrur, ka më pak mundësi punësimi dhe rrogat janë ulur, qasja në objektet shëndetësore është penguar dhe mirëqenia dhe shëndeti ynë i ardhshëm financiar, së bashku me atë të familjeve tona, janë të pasigurta", thuhet në Italian Journal Of Gynæcology & Obstetrics.

"Të gjithë këta faktorë mund të kenë një ndikim negativ në ekuilibrin tonë psikologjik dhe kjo mund të jetë veçanërisht e dukshme te gratë në menopauzë, të cilat tashmë po përjetojnë një periudhë kritike të jetës së tyre", vazhdojnë autorët, të cilët më pas u përpoqën të kuptonin nëse mjekët kishin vërejtur ndryshime në prevalencën e simptomave të menopauzës dhe në kërkesën për trajtim. Për këtë qëllim, në një uebinar, 143 specialistëve, anëtarë të Shoqatës Italiane të Menopauzës iu kërkua të përcaktonin prevalencën ("të rrallë", "ndonjëherë", "të shpeshtë" dhe "shumë të shpeshtë") midis pacienteve të tyre, të 5 simptomave të veçanta të menopauzës në periudhën para COVID-it dhe gjatë pandemisë. Sondazhi zbuloi se prevalenca e afsheve të nxehta, çrregullimeve të gjumit dhe atyre seksuale nuk kishte ndryshuar. Nga ana tjetër, u rrit prevalenca e ankthit dhe depresionit. Konkretisht, 75.5% e mjekëve vunë re se pacientet e tyre vuanin nga simptoma ankthi "shpesh/shumë shpesh" gjatë periudhës së pandemisë, krahasuar me 39.8% që e raportuan atë në periudhën para COVID-19. Në mënyrë të ngjashme, simptomat e depresionit të përcaktuara si "të shpeshta/shumë të shpeshta" u vunë re nga 72% e mjekëve gjatë COVID-19, krahasuar me 35.6% para COVID-19.

"Ndryshimi i prevalencës së simptomave të menopauzës kërkon një përshtatje terapeutike ndaj nevojave të reja dhe zgjedhjen e mjeteve ndihmëse që janë në gjendje jo vetëm të trajtojnë simptomat vazomotore, por edhe të kenë një efekt pozitiv në humor", shkruajnë autorët.


Italian J Gynæcol Obstet 2021. Doi: 10.36129/jog.33.03.03
https://doi.org/10.36129/jog.33.03.03


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>