Focus

pri182019

Mjekët e rinj. Më shumë kohë para kompjuterit sesa para pacientëve

Në Shtetet e Bashkuara, specializantët në mjekësinë e brendshme, gjatë vitit të parë të punës, kalojnë shumë pak kohë në trajtimin e drejtpërdrejtë të pacientëve. Në këtë përfundim ka arritur Krisda Chaiyachati (Universiteti i Pensilvanisë) dhe grupi i tij i punës, në një studim të publikuar në "JAMA Internal Medicine". "Vëzhgimi ynë objektiv mbi mënyrën se si e kalojnë specializantët ditën e punës, paraqet një panoramë të qartë të mënyrës se si janë formuar ta profesionalisht dhe realitetit në praktikën e përditshme mjekësore", konfirmon Chaiyachati.

"Kjo mund t'i ndihmojë drejtuesit e programeve të specializimeve për të kuptuar se çfarë po bëjnë trajnuesit dhe për të vlerësuar nëse po përdoret koha dhe proceset e duhura për formimin e mjekëve të së nesërmes", shton ai. Kërkuesit kanë mbledhur në periudhën 10 mars-31 maj 2016 të dhëna relative në turnet e ditës dhe të natës në një numër total prej 80 specializantësh që vinin nga gjashtë programe mësimi. Për ta bërë këtë, ata i kanë caktuar secilit specializant një vëzhgues që e ka ndjekur për gjithë kohëzgjatjen e turnit, pasi e ka formuar atë në mënyrë që të mos ndërhyjë në rrjedhën e punës.

Duke analizuar të dhënat, ekspertët vërejtën se 15.9 orë në secilën periudhë 24-orëshe (66%) i janë kushtuar kujdesit indirekt ndaj pacientit. Shumica e asaj kohe është përdorur për menaxhimin e shënimeve mjekësore elektronike (10.3 orë), për të komunikuar me anëtarët e grupit të tyre të punës (5.9 orë) dhe me personelin tjetër (3.3 orë). Kujdesi i drejtpërdrejtë ndaj pacientit u ka zënë specializantëve vetëm tre orë, ndërsa aktivitetet edukative, 1.8 orë. Studiuesit theksojnë se studimi ka disa kufizime, duke përfshirë fokusimin në vetëm gjashtë programe të mjekësisë së brendshme dhe se mund të sigurojë vetëm një vëzhgim, pasi nuk ka standarde për të identifikuar se ç'lloj shpërndarjeje e aktiviteteve është më e mira për përvojën arsimore ose për cilësinë e kujdesit të marrë nga pacientët.

"Është e paqartë nëse këto studime thjesht pasqyrojnë një ndryshim në fushën e mjekësisë drejt një varësie më të madhe ndaj punës në grup dhe teknologjisë kompjuterike, ose nëse ato tregojnë përkeqësim sa i përket anës humane të profesionit", shkruajnë Christopher Moriates dhe Frank Parker Hudson (Universiteti i Teksasit në Austin), autorë të një editoriali.


JAMA Int Med 2019. Doi: 10.1001/jamainternmed.2019.0095
https://jamanetwork.com/journals/jamainternalmedicine/fullarticle/2730353

JAMA Int Med 2019. Doi: 10.1001/jamainternmed.2019.0092
https://jamanetwork.com/journals/jamainternalmedicine/article-abstract/2730350


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>